Presidentja thotë se ka punuar “ditë e natë” për Kosovën dhe se liberalizimi i vizave, njohjet e reja dhe armatosja e FSK-së u bënë falë saj. Vjosa Osmani po kërkon një tjetër mandat si shefe e shtetit, por, siç e ka pranuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetari i partisë që i fitoi zgjedhjet e fundit, kjo do të jetë e vështirë.
Vjosa Osmani dëshiron të mbetet ende presidente, dhe prej kur e shpalosi këtë ambicie të saj para dy javësh, është angazhuar të tregojë për punën e madhe që thotë se e ka bërë për vendin.
Ajo thotë se për pesë vjet ka punuar “ditë e natë” dhe “kurrë pa ndalë në mënyrë që Kosova të ecë përpara”.
Kur u ul në karrigen e shefes së shtetit në vitin 2021, “Kosova ndërkombëtarisht nuk qëndronte mirë”, sipas saj.
“Kur kam ardhë këtu, është dashur goxha me fillu prej zeros në aspektin e përkrahjes ndërkombëtare. Ka qenë një imazh jo i mirë për Kosovën ndërkombëtarisht. Ne s’kemi qenë prioritet në tavolinat e liderëve të botës. Më ka zhgënjyer shumë. Na ka marrë shumë shumë shumë kohë që Kosovën ta rikthejmë si një ndër prioritetet, pastaj ta rikthejmë procesin e njohjeve…”, tha Osmani në një intervistë për emisionin “NERV” të Shkëlzen Gashit, të transmetuar mbrëmë në YouTube.
Ajo tha se Kosova ka pasur “të arritura të mëdha” me të.
Presidentja tha se ka arritur t’ia “rikthejë” vendit “rreth 20 çnjohje”, duke e “shpartalluar propagandën serbe”.
Për shkak të saj tha se u arritën edhe njohje të reja.
“E kemi aplikimin për anëtarësim në BE, me Këshillin e Evropës kemi arritur shumë afër”, tha ndër tjerash ajo, kur u pyet për sukeset e saj.
Tha se angazhimi i saj rreth liberalizimit të vizave “ka qenë i jashtëzakonshëm”, duke përmendur takime të saj me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe ish-kryeministrin e Holandës, Mart Rutte që “të hiqet bllokada”.
Sukseset e saj tha se “nuk lidhen vetëm me politikën e jashtme”.
“Çështja e fuqizimit të pasaportave, e liberalizimit të vizave, në 90% të rasteve ka qenë e iniciuar nga Presidenca”, tha ajo.
Armatosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës “në përmasa që nuk ka qenë kurrë më parë”, Osmani tha se u arrit falë saj. Kjo temë, sikuse liberalizimi i vizave, por edhe njohjet e reja, përmenden vazhdimisht nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti si suksese të qeverisjes së tij.
“Në cilësinë e komandantes supreme të Frocës së Sigurisë së Kosovës, fokusi ka qenë në dy fusha kryesore. E para marrëveshjet ndërshtetërore në fushën e mbrojtjes, nga takimi i parë me presidentin Erdogan në vitin 2021 ku është dakorduar çështja e dronëve dhe pjesës tjetër të armatimit, deri te takimi me Sekretarin Blinken ku është diskutuar çështja e Javelinëve që që shtyhet përpara, e deri te takimi që e kisha në korrik në Departamentin e Shtetit amerikan, ku jemi dakorduar për pjesë të tjera të armatimit. Secila është inicuar në nivel të presidencës, është shtyrë përpara në nivel të presidencës dhe ne nuk ndalemi thjesht duke e ngritur këtë çështje. Unë sigurohem që të thërrasë kongresistë e senatorë në telefon derisa të kryhet puna”, tha ajo. E përmendi edhe një marrëveshje me Kroacinë, po për armatim.
Ajo tha se janë meritë e saj “çështjet e marrëveshjeve shtetërore që përfshijnë armatimin, që përfshijnë trajnimet, që përfshijnë zgjerimin e bashkëpunimit, që përfshijnë zgjerimin e bashkëpunimit, marrëveshjet për linjëzim të përbashkët në fushën e mbrojtjes, të gjitha…”
Osmani, e cila erdhi në pozitën e presidentes në vitin 2021 në saje të një bashkëpunimi me Albin Kurtin, i cili e mori drejtimin e qeverisë, para disa ditësh kërkoi qe t’i vazhdojnë “punët e mira bashkërisht” me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë e cila mori rreth 51.11% të votave në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Kurti, siç tha së fundmi në një intervistë për KosovaPress, sheh “mundësi jo vetëm teorike, por edhe praktike” që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje, pasi të konstituohet Kuvendit dhe të formohet qeveria e re, pasi “80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme”.
I pyetur nëse preferon ndonjë emër tjetër “më konsensual” për president, Kurti ka thënë se “nuk mund të diskutojmë për hapin e katërt pa këta tre të parët”, duke përmendur konstituimin e Kuvendit, votimin e qeverisë dhe votimin e buxhetit të këtij viti.
Osmanit i përfundon mandati më 7 prill dhe një muaj para kësaj date, vendi duhet ta zgjedh një president me mandat të plotë.














