Në fshatin Kopiliq i Epërm është përuruar pllaka përkujtimore që shënon një nga pikat historike të veprimtarisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së fundit.
Pllaka përkujtimore, e vendosur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kujton faktin se kjo shtëpi gjatë periudhës 5 mars 1998 – 1999 ka shërbyer si shtab i togut të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë vend janë marrë vendime të rëndësishme për organizimin dhe zhvillimin e luftës çlirimtare, andaj dhe nderimi për familjen Abazi dhe të gjithë ata që komtribuan erdhi me vendosjen e kësaj pllake, e cila është shenjë e sakrificës dhe vendosmërisë së tyre.
Në pllakë theksohet gjithashtu se bëhet fjalë për strukturën Brigada 112 “Arben Haliti”, përkatësisht Bataljoni II, Kompania I, në kuadër të degës së OVL-UÇK-së në Skënderaj.
Ky përurim konsiderohet një akt përkujtimi dhe respekti për historinë e luftës çlirimtare, duke ruajtur kujtesën për vendet ku janë zhvilluar aktivitetet dhe organizimet e para të UÇK-së në zonën e Drenicës.
Duhet cekur që pjesëmarrës ishin figura të larta institucionale nga Komuna e Skenderajt, kryetari Lushtaku, përfaqësues nga OVL dhe ish luftëtarë, kurse familjarët u deklaruan të emocionuar dhe të lumtur që ishin pjesë dhe kontributdhënës në qëllimin e madh për të siguruar lirinë e vendit.












