Standardet e dyfishta të VV-së për procese të caktuara kanë ardhur në shprehje sërish. Partia e Albin Kurti po e kundërshton me çdo kusht kërkesën për rivotim në Mitrovicë të Jugut, ani pse raundi i dytë i zgjedhjeve ka treguar dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor.
Para 16 viteve, partia më e madhe në vend kishte kërkuar rivotim në Mitrovicë vetëm pse llambat ultravjollcë s`kishin funksionuar për “një apo dy orë”.
Madje, Gjykata Supreme e kishte miratuar ankesën e saj, duke e dërguar këtë qytet në rivotim.
Në 12 dhjetor të vitit 2011, në disa vendvotime të komunës së Mitrovicës, “në orët e para, një apo dy orë, nuk kanë funksionuar llambat ultravjollcë”.
Pas këtij defekti, VV-ja kishte vlerësuar se integriteti zgjedhor ishte cenuar rëndë, meqenëse këshillat e vendvotimit të caktuar nga KQZ nuk kishin arritur të kontrollonin nëse votuesit kishin ngjyrë të padukshme në gishtërinjë.
Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por ky institucion nuk e kishte aprovuar kërkesën e këtij subjekti politik.
Arsyetimi i PZAP-së ishte se mosfunksionimi i llambave nuk kishte ndikuar në rezultatin final të zgjedhjeve.
Por, subjekti i Albin Kurtit, betejën për rivotim në Mitrovicë e kishte çuar deri në Gjykatën Supreme.
Kjo e fundit e kishte pranuar ankesën e VV-së dhe e kishte rrezuar vendimin e PZAP-së.
Gazeta Nacionale ka siguruar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të 16 viteve më parë, ku jepen shumë detaje.
Në 6 janar 2011, Gjykata Supreme kishte vendosur në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që kishte miratuar ankesën e saj dhe kishte anuluar vendimin e PZAP-it.
Në Aktgjykimin A.A. nr. 37/2011 Supremja kishte anuluar rezultatet e Zgjedhjeve të Përgjithshme të 12 dhjetorit të vitit 2010 dhe kishte urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i përsërisë votimet në qendrat e votimit.
Në ankesën e saj, Lëvizja Vetëvendosje kishte pretenduar se ishte cenuar të drejtat themelore të njeriut – e drejta zgjedhore dhe e pjesëmarrjes në zgjedhje, të garantuar me nenin 45 të Kushtetutës së Kosovës.
Në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme kuptohet përmbajtja e ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje. Aty partia e Kurtit kishte treguar pretendimet e saj.
“Më datë 12.12.2010, në ditën e Zgjedhjeve të Përgjithshme në Republikën e Kosovës, në vendvotimet …. nuk kanë funksionuar bateritë fluoroscente dhe ngjyra e padukshme me të cilën mund të verifikohet nëse i njëjti person voton më shumë se një herë dhe me këto veprime është cenuar neni 11.1 i Rregullës Zgjedhore nr.9/2009”, kishte vlerësuar VV-ja në ankesën e saj.

Sipas rregullës zgjedhore të asaj kohe, parashikohej respektimi i disa standardeve. “Para se votuesi të lejohet të hyjë në vendvotim, kontrolluesi i rreshtit do të kontrollojë nëse ka njollë të ngjyrës së padukshme në gishtërinjtë e tij dhe nëse votuesi në gishtërinjtë e të cilit ka këso njolle, nuk do të lejohet të votojë”.
Gjykata Supreme kishte arsyetuar Aktgjykimin e saj që urdhëronte rivotim se “nuk janë përmbushur standardet” që kërkohen me Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në Rregullën Zgjedhore të KQZ-së.

Rivotimi në komunën e Mitrovicës ishte mbajtur më 23 janar të vitit 2011. Për dallim nga zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, nuk kishte raportime për probleme me llambat ultravjollcë.
Pas 16 viteve, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Mitrovicës ka shpërfaqur dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor.
Në procesin e rinumërimit të votave, janë evidentuar shumë fletëvotimeve me numër serikë të çrregullt. Gjithashtu, janë evidentuar fletëvotime me një numër serik të caktuar, që i takonin një klase votimi, janë gjetur në klasë tjetër.
Madje, fletëvotimi i një klase të caktuar është gjetur në një qendër tjetër vendvotimi.
Kjo ka rritur dyshimet së në Mitrovicë ka mundur të përdoret i ashtuquajturi “treni bullgar”.
Për këtë arsyeje, PDK-ja është ankuar në PZAP duke kërkuar rivotim në Mitrovicë të Jugut.















