Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar se ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të migrantëve që pritet të dëbohen nga Amerika pas një vendimi të Donald Trumpit
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar për REL-in më 6 qershor se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar median Bloomberg News, raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.
Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës Trump të tërheqë statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, që jetojnë në SHBA, duke forcuar kështu përpjekjet e presidentit republikan për shtimin e dëbimeve.
Sipas Bloomberg-ut, administrata Trump po kërkon destinacione të mundshme për migrantët që mund të dëbohen si rezultat i këtij vendimi.
Ndërkaq, Qeveria në detyrë e Kosovës më 26 maj ka shprehur gatishmëri për të diskutuar edhe me Mbretërinë e Bashkuar, propozimin për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik.
Propozimi për ngritjen e qendrave të kthimit është pjesë e një strategjie më të gjerë të Mbretërisë së Bashkuar për të adresuar numrit në rritje të migrantëve që mbërrijnë në ishullin anglez përmes rrugëve të paligjshme.
Megjithatë, organizata ndërkombëtare Human Rights Watch ka shprehur shqetësimin se përdorimi i vendeve të Ballkanit si vende pritëse për migrantët mund të shkelë të drejtat e tyre dhe të krijojë sfida të reja për vendet pritëse.
Në një marrëveshje të ngjashme që po ashtu kishte nxitur kritika, në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan për dhënien me qira të 300 qelive burgu në Institucionin Korrektues në Gjilan për të strehuar të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka pas përfundimit të dënimit.
Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro, të cilat do të investohen në Shërbimin Korrektues dhe në projekte të energjisë së ripërtëritshme.
Kjo marrëveshje kishte ngjallur reagime nga organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile, të cilat kanë shprehur shqetësime për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe për sfidat që mund të sjellë menaxhimi i të burgosurve të huaj në Kosovë.