Dje, në përvjetorin e 20-të të vdekjes së presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në rrjetet sociale është publikuar një video e rrallë nga arkivat e kohës së luftës.
Videoja është ndarë nga Blerina Kllokoqi Rugova, bashkëshortja e Mendim Rugovës, e cila ka kujtuar figurën e ish-presidentit përmes këtij materiali arkivor me vlerë të veçantë historike dhe emocionale.
Bëhet fjalë për një video të realizuar në vitin 1998, në të cilën Ibrahim Rugova shihet duke pritur në zyrën e tij një grup artistësh të njohur të asaj kohe. Takimi ishte pjesë e thirrjes për paqe, në një periudhë kur Kosova po përballej me një luftë të ashpër dhe represion të vazhdueshëm nga Serbia.
Në pamjet e publikuara shfaqen emra të mëdhenj të artit dhe kulturës shqiptare, përfshirë Sabri Fejzullahu, Violeta Rexhepagiqi, Dukagjin Lipa babai i këngëtares Dua Lipa, Adelina Ismaili së bashku me nënën e saj, Monën, si dhe gazetarin Benet Kaçi, mes shumë figurave të tjera publike.
Sipas informacionit të bërë publik, videoja është shkëputur nga arkivat personale të Adnan Merovci, një nga bashkëpunëtorët dhe njerëzit më të afërt të presidentit të ndjerë Rugova.
Publikimi i kësaj videoje ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje rolin e Ibrahim Rugovës si simbol i rezistencës paqësore dhe rëndësinë e bashkimit të figurave kulturore në momentet më të vështira të historisë së Kosovës.













