Dy akademikë me mbiemër të njëjtë, Blerim dhe Behar Haziri, kanë aplikuar për të njëjtën pozitë në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”.
Pikërisht pozita e asistent profesorit në Fakultetin e Shkencave Sociale, e hapur në gusht të vitit 2025, është bërë shkak për një konflikt të hapur mes dy gjilanasve me këtë mbiemër, raporton Kiks Kosova.
Të dy kushërinjtë i kanë plotësuar kushtet për të vazhduar me procedurat e mëtejshme për këtë pozitë, e cila ishte shpallur si vakante në Universitetin “Kadri Zeka”.
Vendimi përfundimtar ishte në dorën e komisionit vlerësues, të përbërë nga tre anëtarë: Dukagjin Leka, Shejnaze Gagica dhe Abdullah Azizi.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, komisioni vendosi të përzgjedhë Blerim Hazirin si kandidatin më meritor për pozitën e asistent profesor, megjithëse kundërkandidati i tij, Behar Haziri, kishte 14 vjet përvojë pune akademike dhe tre punime shkencore.
Profesori i përzgjedhur, sipas dokumenteve, kishte vetëm një punim shkencor, në të cilin figuron si autor i dytë. Për më tepër, autori i parë i atij punimi është vetë dekani i fakultetit ku Blerim Haziri u përzgjodh për pozitën e re.
Në arsyetimin e Komisionit vlerësues ishte theksuar se, sipas nenit 10, pika 12 të Rregullores për avancim akademik, përparësi u jepet kandidatëve që përputhen më shumë me fushën e lëndëve të shpallura.
E në ndërkohë që Blerim Haziri po përgatitej për vendin e ri të punës, në profilin e tij në Facebook filluan të shfaqen fotografi dhe postime lavdëruese nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.
Sipas burimeve, dyshohet se përzgjedhja e tij mund të ketë ardhur si rezultat i lidhjeve të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi Haziri ka qenë kandidat për Asamblenë Komunale të Gjilanit nga kjo parti.
Madje, para se Universiteti “Kadri Zeka” ta shpallte zyrtarisht vendimin për pozitën e re, Blerim Haziri ishte prezantuar gjatë fushatës si profesor në këtë fakultet, një veprim që ka ngritur dyshime për ndikime politike në procesin e përzgjedhjes.













