Quhet Daytona Beach, është një anije transporti mallrash të thjeshta (bulk carrier) me flamur liberian dhe rreth orës 10 të mëngjesit, kaloi përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në hartën në kohë reale të Marine Traffic, që ndjek dhe lokalizon pozicionin dhe lëvizjet e anijeve në të gjithë botën, shihet qartë se anija po lëvizte.
“Kështu tashmë shihen efektet e para të armëpushimit dyjavësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të shpallur natën e kaluar (midis 7 dhe 8 prillit) në luftën në Lindjen e Mesme, i cili ka sjellë rënien e çmimit të naftës dhe rritjen e tregjeve evropiane”, raporton Corriere.
Por mbi një mijë anije janë të bllokuara në Gjirin Persik, përfshirë tankerë nafte, anije gaz-shtypëse, bulk carrier (që transportojnë mallra të thata si grurë, qymyr, plehra) dhe anije kontejnerësh me produkte industriale (mobilje, veshje, elektronikë).
Cilat do të kalojnë të parat?
“Do të jenë ato që do të arrijnë të rinovojnë sigurimet e tyre – shpjegon Gian Enzo Duci, profesor i Menaxhimit të Anijeve në Universitetin e Xhenovës. – Problemi i sigurimeve vjen nga fakti se premium-et për mbulimin War Risk (në kushte normale 0,01% e vlerës së anijes, 0,1% në momentet e krizës më të madhe në Detin e Kuq) kishin arritur në 20% të vlerës së anijes, duke bërë praktikisht të pa sigurueshme trafikun. Tani duhet parë se kush do të arrijë i pari të marrë vlerat e pranueshme të premium-it për të kaluar. Pres që të jenë kinezët dhe grekët.”
Prioriteti
Kjo sepse Kina ishte ndër vendet e para që mori garancitë për kalim të sigurt nga Irani, si vend mik ose neutral dhe jo mik i Shteteve të Bashkuara. Në përgjithësi, tankerët që destinohen për tregjet aziatike (ato që varen më shumë nga importi nga Gjiri, si India) kanë përparësi ndaj atyre që shkojnë në Evropë.















