Komisioni i themeluar për vlerësimin e fletëvotimeve në Mitrovicë të Jugut, tashmë ka nisur punën.
Zëdhënësi i KQZ’sq, Valmir Elezi, ka deklaruar për Reporteri.net se ky komision po vlerëson fletëvotimet në Qendrën e Numërimit dhe Rezyltateve. Ai tha se Komisioni pritet të dorëzojë raportin më së largu deri nesër.
“Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar punën Komisioni i themeluar nga KQZ për vlerësimin e fletëvotimeve për zgjedhjet e raundit të dytë për Kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. Planifikohet që ky Komision, të përgatis një raport dhe të njëjtin ta dorëzojë jo më vonë se më 14 nëntor”, ka thënë Elezi.
PëR komunat tjera., Elezi shpjegoi se ky vlerësim do të bëhet sipas mostrës së caktuar dhe raporti do të finalizohet deri në fund të javës.
“Po ashtu, puna e këtij komisioni do të jetë në funksion edhe të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me një ankesë të parashtruar në këtë instiucion për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, por njëkohësisht edhe të sqarimit të mëtutjeshëm të situatës së krijuar”, ka deklaruar Elezi.
Vendimi për themelimin e këtij komisioni u mor në mbledhjen e djeshme të KQZ’së./Reporteri.net













