Ekipi i Ardian Shalës nga LDK në Suharekë ka bërë një hulumtim me të cilin pretendon se janë bërë keqpërdorime dhe mospërputhje në punimet për ndërtimin e Lapidarit në fshatin Vraniq, projekt i realizuar gjatë mandatit të kryetarit të Komunës, Bali Muharremaj.
Sipas pretendimeve të këtij ekipi, në kontratë janë paguar shumë më tepër punime dhe materiale sesa ato që, sipas tyre, gjenden realisht në terren.
Në raportin e publikuar nga ekipi i Shalës thuhet se:
Janë paguar 90 m² gurë natyral (rrasa) me trashësi 3 cm, ndërsa sipas tyre në terren janë vetëm 28 m²;
Janë paguar 40 m² gurë me trashësi 4 cm për mbulim muri, por në terren figurojnë vetëm 9 m²;
Për gurë me trashësi 8 cm në gjatësi 40 metra janë paguar të gjitha, por sipas tyre janë vetëm 16 metra;
Janë paguar 6 reflektorë LED, ndërsa sipas raportit janë vendosur vetëm 4;
Janë paguar 40 trupa ndriçues, por në terren janë 28;
Janë paguar 12 trupa ndriçues me gjatësi 1.5 m, por në terren janë 6;
Janë paguar 6 shporta mbeturinash, por asnjë nuk është vendosur;
Dhe janë paguar 2 flamuj kombëtarë, ndërsa në terren është vetëm një, e tjetra është ajo e vjetër.
Sipas LDK-së një aktivist i afërt me kryetarin Muharremaj dyshohet se ka marrë 400 euro nga Shoqata “Vraniqi” për punimet e lapidarit.
Në raport thuhet se kontrata ka qenë në vlerën 35,695 euro, por janë paguar 38,270 euro, ndërkohë që punët e kryera në terren vlerësohen në rreth 22,320 euro.
Sipas llogaritjeve të ekipit të Shalës, dallimi është rreth 15,950 euro, shumë që ata pretendojnë se është keqpërdorur.
















