Muzikantë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe Ballkani Perëndimor — duke u takuar për herë të parë — u mblodhën në Filarmoninë e Shkupit për të rishpikur Odën e Gëzimit me tingujt unikë të vendeve të tyre. Vetëm në pak orë, ata luajtën si një, duke treguar se si njerëzit mund të ulen dhe të krijojnë së bashku sa hap e mbyll sytë. Lexoni historinë e tyre këtu dhe dëgjoni performancën e tyre të shkëlqyer këtu: https://youtu.be/8iFVPfJxkDc
Nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian — që përfshin Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Republikën Çeke, Francën, Gjermaninë, Kosovën, Malin e Zi, Holandën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Slloveninë — fuqitë krijuese nga e gjithë Evropa bashkuan forcat në iniciativën kulturore dhe të komunikimit “Një këngë, Një Evropë” të WeBalkans.
Në një përzierje traditash, talentesh dhe idesh me instrumente tradicionale, klasike dhe të rralla, 12 muzikantë riimagjinuan Odën e Gëzimit në Filarmoninë e Shkupit. Më shumë sesa një shfaqje e rëndomtë, ata arritën të krijojnë një stori që na kujton të rëndësishmen: unitetin, solidaritetin dhe paqen. Një stori e treguar në gjuhën universale të muzikës.
“Kur flasim për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, mund të them se nuk bëhet fjalë për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor – por për mua, është thjesht Evropa. Dallimet tona nuk kanë rëndësi, sepse muzika është gjithmonë një hap përpara në bashkimin tonë”, tha Gent Rushi, pianist dhe fizarmonist nga Shqipëria.
Pikërisht për këtë arsye, WeBalkans, iniciativë e Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DG ENEST), krijoi “Një këngë, Një Evropë”. Projekti tregon se si kultura dhe arti vazhdojnë të jenë mjetet më të fuqishme për të nxitur ndryshimin, shpesh më afër publikut sesa debatet akademike ose analizat politike.
Për Antonija Batiniq nga Bosnja dhe Hercegovina, soliste vokale, muzika është gjuhë universale e cila tejkalon fjalët. “Gjuha ka rëndësi, por shprehjet dhe fuqia e muzikës flasin më shumë se çfarëdo teksti kënge. Kolegu i saj Marvin Dillmann nga Gjermania shtoi: “Ne vërtet jemi të ndryshëm, por gjithashtu jemi të lidhur dhe i shijojmë ato ndryshime, kurse muzika na jep këtë mundësi”.
Breza me radhë, popullata në të gjithë BE-në dhe Ballkanin Perëndimor janë rritur duke dëgjuar të njëjtat këngë, duke ndarë të njëjtat tradita dhe duke çmuar të njëjtat vlera. “Kjo iniciativë është provë se kultura vazhdon të shërbejë si urë lidhëse – midis brezave, vendeve dhe aspiratave”, tha Dino Shukalo, producent muzikor.
Performanca në Shkup nuk kishte të bënte vetëm me ripërfytyrimin e Odës së Gëzimit me një aranzhim të ri, duke përzier instrumentet tradicionale me ato bashkëkohore. Driton Bejta, instrumentalist i çiftelisë nga Kosova, tha se qëllimi i saj ishte të dërgonte një mesazh: se së bashku, mund të nderojmë vlerat universale, të respektojmë llojllojshmërinë dhe të ndërtojmë një të ardhme paqeje, progresi dhe prosperiteti të përbashkët.
“Bashkuam kultura dhe ide të ndryshme, duke riorganizuar diçka aq klasike dhe tradicionale sa Betoveni me muzikën dhe etno stilet. Mesazhi është i qartë: të bashkohemi, të harrojmë kufijtë, të luajmë së bashku, të argëtohemi dhe mos të përçahemi, por të përplasemi – me kreativitet dhe gëzim”, tha violinistja dhe vokalistja sllovene Ana Mezgec kurse bateristja franceze Delphine Aurélie Langhoff shtoi: “Edhe pse nuk jemi të gjithë njësoj, pasi vijmë nga kultura të ndryshme, muzika është ajo e cila na tregon se jemi të ngjashëm dhe të qenit bashkë na ngre moralin.”
“Një këngë, Një Evropë” gjithashtu shfaq rolin e BE-së në mbështetjen e kulturës dhe ndërtimin e një hapësire të përbashkët kulturore. BE-ja investon në art, në bashkëpunimin ndërkufitar, në bashkimin e njerëzve për të kapërcyer përçarjet. Këto përpjekje tregojnë se Evropa është një hapësirë e përbashkët, ku BE-ja dhe Ballkani Perëndimor ndajnë të njëjtat vlera, duke u përpjekur për progres dhe jetë më të mirë për të gjithë. Ky mesazh gjeti jehonë edhe tek muzikantët.
Flautistja malazeze, Zhana Lekiq, beson se aranzhimi i ri i Odës së Gëzimit mbart mesazh artistik por po ashtu edhe politik. “Mund të ecim përpara vetëm nëse jemi bashkë – të lirë nga barrët dhe kufizimet. Ky është çelësi. Muzika na tregon mundësinë e bashkëpunimit, domosdoshmërinë e llojllojshmërisë dhe fuqinë e artit si fuqi e butë në ndërtimin e shoqërisë. Politika është kudo përreth nesh sot, në jetën tonë të përditshme, kështu që detyra jonë është ta përdorim artin për ta bërë politikën të funksionojë për ne, jo kundër nesh.” Mendime të ngjashme u ndanë edhe nga Mike del Ferro, pianist nga Holanda, i cili tha se performanca e përbashkët e Odës së Gëzimit është shenjë se bota është e bashkuar, sepse “Pavarësisht angazhimit politik apo fesë, ne dërgojmë mesazhin se e duam njëri-tjetrin – dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme”
Instrumentalisti i kavalit dhe klarinetisti Milosh Nikoliq, nga Serbia, shton se muzika është një nga forcat më të forta për transformim kolektiv. “Nëse diçka mund ta ndihmojë shoqërinë në tërësi, është muzika – mbretëresha e të gjitha arteve. Nëse vendet tona do të investonin më shumë në kulturë, shoqëritë tona vërtet do të lulëzonin. Kudo që të mundem, u them prindërve: dërgoni fëmijët tuaj në shkollat e muzikës. Është investimi më i mirë në të ardhmen e tyre.” “Një këngë, një Evropë” për shumicën ishte mundësi për të parë instrumentin e mrekullueshëm bullgar gadulka. Hristina Beleva, e cila luajti gadulkën, theksoi se bashkëpunimi është “si një dritë në jetën tonë dhe se, nëse mendonim për gjëra të thjeshta, bota do të ishte një vend më i mirë”, ndërsa trombisti Petr Harmacek, trombist nga Republika Çeke beson se performanca e përbashkët e Odës së Gëzimit me muzikantë nga vendet e Ballkanit është e mrekullueshme dhe tregon se si jemi të gjithë të lidhur.
Për të riun Serçuk Alimov, trombistin nga Maqedonia e Veriut, profesori Nikoliq tha se një talent i tillë shfaqet vetëm një herë në shekull. Rinia dhe shkëlqimi i tij mbartin mesazh për sot dhe nesër: kur instrumentet luajnë si një dhe njerëzit bashkojnë forcat, Evropa rezonon siç duhet – e bashkuar, e gjallë dhe në një vend të vetëm.