Dhjetëra mijëra studentë dhe kundërshtarë të tjerë të presidentit të Serbisë po mblidhen në qytetin verior të Novi Sadit për përkujtimin masiv të viktimave të një tragjedie të një viti më parë që la 16 të vdekur.
Përpara tubimit përkujtimor, është krijuar një momentum në favor të kërkesave të opozitës për ndryshime të mëdha në këtë vend pas gati një viti protestash antiqeveritare të udhëhequra nga studentët që e kanë tronditur rëndë presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kontrollin e tij të fortë të pushtetit.
Ndërsa mijëra protestues arritën në Novi Sad nga i gjithë vendi, Vuçiqi ka kërcënuar me arrestime masive nëse të pranishmit përdorin dhunë dhe tha me bindje e mbështetësit e tij po planifikojnë një tubim “shumë më të madh” në qytet më vonë në nëntor.
Ai gjithashtu është përpjekur të minimizojë madhësinë dhe rëndësinë e pritur të tubimit përkujtimor të opozitës, raporton Associated Press.
Si filloi e gjitha
Katalisti për protestat disamujore ishte shembja vdekjeprurëse e tendës së një stacioni hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, e cila rezultoi në 16 viktima. Ky incident i është atribuar gjerësisht neglizhencës qeveritare, korrupsionit endemik dhe marrëveshjeve të dyshimta të bëra me kompanitë kineze të ndërtimit që morën pjesë në rinovimet e fundit të stacionit.
Fillimisht, protestat filluan si demonstrata sporadike që kërkonin përgjegjësi për tragjedinë e Novi Sadit. Megjithatë, ato evoluan shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare që adresonte çështje më të gjera, të tilla si kërkesat për zgjedhje të parakohshme dhe reforma të mëdha demokratike.
Lëvizja ka fituar mbështetje të gjerë nga segmente të ndryshme të shoqërisë serbe.
Organizatorët kanë një plan për tubimin
Tubime të ngjashme të udhëhequra nga studentët janë mbajtur tashmë në Novi Sad, duke tërhequr dhjetëra mijëra njerëz dhe duke zgjatur për një ditë ose më shumë.
Mijëra njerëz nga e gjithë Serbia pritet të mblidhen në Novi Sad deri të shtunën. Tashmë, mijëra studentë kanë marshuar drejt qytetit nga drejtime të ndryshme.
Shumë nga ata që marshuan nga Beogradi në Novi Sad u detyruan të flinin jashtë në mot të ftohtë në qytetin e Inxhijas, sepse kryetari i bashkisë, një zyrtar nga partia e Vuçiçqt, kishte refuzuar t’i lejonte të hynin në një palestër sportive. Ai gjithashtu i paralajmëroi banorët vendas të mos u jepnin ushqim dhe ujë.
Mijëra protestues pritej të merrnin trenin nga Beogradi në Novi Sad për t’u bashkuar me tubimin, por të premten, kompania shtetërore hekurudhore njoftoi se të gjitha trenat midis dy qyteteve ishin ndaluar për një kohë të pacaktuar, me sa duket për shkak të një kërcënimi me bombë. Kompania bëri të njëjtën gjë para protestave të mëparshme masive gjatë vitit të kaluar.
Tubimi i së shtunës mund të shndërrohet lehtësisht në një nga tubimet më të mëdha ndonjëherë në vendin e trazuar ballkanik, i cili ka një histori të gjatë demonstratash antiqeveritare.














