Më shumë se 24 orë pas ndërprerjes së seancës së djeshme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, ka reaguar Kryesuesja e këtij organi komunal, Vesa Broja.
Ajo thotë se mos pjesëmarrja e saj në votimin e Hartën Zonale të propozuar në Kuvend nga ekzekutivi komunal i udhëhequr nga Bedri Hamza, ishte një vendim i qëllimshëm, i mbështetur në bindjet e saj dhe në mungesën e kushteve të nevojshme për një vendimmarrje të qartë dhe të përgjegjshme.
Jo sinqeriteti i Vesa Brojës në reagim vërehet qartazi kur thotë se: “Me këtë veprim, synova të mos bëhem pjesë e asnjërës palë dhe të ruaj një qëndrim të paanshëm e të matur në raport me çështjen në fjalë.”.
Kjo pasi që ish kandidatja e PDK-së për deputete në zgjedhjet e shkurtit, pikërisht me mos pjesëmarrje në votim, është bërë pjesë e njërës palë, opozitës (VV & LDK), të cilët nuk morën pjesë në votim, njëjtë sikurse Vesa Broja e PDK-së, duke pamundësuar miratimin e Hartës Zonale për vetëm një votë, pasi që 17 vota ishin “për”.
Postimi:
Lidhur me raportimet e fundit rreth qëndrimit tim në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Mitrovicë, dëshiroj të sqaroj opinionin publik dhe qytetarët tanë se vendimi im ka qenë i bazuar në bindjet dhe parimet e mia si përfaqësuese e tyre.
Theksoj qartë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka pasur një qëndrim zyrtar për pikën në fjalë, prandaj vendimi im nuk përfaqëson asnjë formë kundërshtimi ndaj partisë apo udhëheqësisë së saj.
Në seancën e djeshme, nuk kam kundërshtuar projektin e tillë sepse është shumë i rëndësishëm për qytetin dhe qytetarët. Megjithatë, konsideroj se ai ka hapsirë të plotësohet në disa pjesë të tij, në mënyrë që të përmbushë sa më mirë nevojat reale të komunitetit në përgjithësi. Për këtë arsye kam vendosur të mos marr pjesë fare në votim. Ky ishte një vendim i qëllimshëm, i mbështetur në bindjet e mia dhe në mungesën e kushteve të nevojshme për një vendimmarrje të qartë dhe të përgjegjshme. Me këtë veprim, synova të mos bëhem pjesë e asnjërës palë dhe të ruaj një qëndrim të paanshëm e të matur në raport me çështjen në fjalë.
Çdo vendim i imi në Kuvend buron nga analiza dhe ndjenja e përgjegjësisë ndaj interesit të qytetarëve, dhe jo nga ndonjë motiv personal apo ndikim që mund të keqinterpretohet si tradhti apo përçarje.
Qëndrimi im politik mbetet i palëkundur. Por, njëkohësisht ndjej obligim moral dhe institucional që të veproj gjithmonë me ndërgjegje dhe në përputhje me interesin publik.
Fatkeqësisht, disa media kanë zgjedhur të keqinterpretojnë këtë vendim dhe të cenojnë padrejtësisht integritetin tim, duke ndërtuar narrativa që nuk përputhen me të vërtetën. Pavarësisht linçimeve që po më bëhen për disa klikime, unë vazhdoj të jem po e njëjta Vesa Broja – me parime, me etikë dhe me përgjegjësi ndaj qytetarëve. Dhe për të gjitha këto linçime të padrejta, do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore përmes institucioneve relevante.
Ashtu si deri më sot, do të vazhdoj të qëndroj e palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me përgjegjësinë që më është besuar.
Me respekt,
Vesa Broja
Kryesuese e Kuvendit Komunal të Mitrovicës