Malisheva ka barazuar pa gola me Gjilanin në një ndeshje tejet interesante të xhiros së 26’të në elitën e futbollit kosovar, e cila u përcoll me shumë diskutime rreth mosakordimit të penalltisë për Malishevën në një rast të minutës së tetë, duke e detyruar presidentin e Malishevës të reagojë për rastin në fjalë.
Ishte sulmuesi Sobowale që u fut bukur në zonë dhe u pengua nga mbrojtësi i mysafir Armend Halili, por gjyqtari kryesor nuk akordoi penallti.
As pas rishikimit në VAR, nga Dardan Çaka nuk u pa si ndërhyrje për penallti. Madje ai nuk e ftoi fare gjyqtarin kryesor të ndeshjes, Gramos Shalën për ta vlerësuar vetë ndërhyrjen.
Përveç kryetrajnerit të Malishevës, pas ndeshjes ka reaguar edhe presidenti i klubit, Driton Morina.
Ai ka shpërndarë videon e momenti të ndërhyrjes, duke shkruar: “Ne nuk gabojmë për ndryshim…”.
Gjyqtari Gramos Shala ka qenë protagonist në javët e fundit, pasi në ndeshjet e Gjilanit ka marrë kritika të ashpra nga kundërshtarët për vendimet e tij, siç ishte deklarata e Batatinës i cili tha se nuk do ta lejojë më Shalën t’i gjykojë ndeshjet e Llapit.
Reagimi i Presidentit të Malishevës vjen edhe si protestë për kryetarin aktual të FFK’së, Agim Ademin, të cilin Morina nuk e përkrah aspak.
Madje, Malisheva i ka dhënë nënshkrimin Gramoz Vokrrit për kandidaturën e tij për të parin e FFK’së.












