Deputetja e Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka deklaruar se në marrëveshjen politike të vitit 2021 nuk ka ekzistuar ndonjë zotim që Vjosa Osmani të mbështetet automatikisht edhe për një mandat të dytë në krye të shtetit.
Duke folur në emisionin Debat Plus, ajo tha se pretendimet se një gjë e tillë është paraparë në marrëveshje nuk qëndrojnë, transmeton lajmi.net.
“Nuk e mbaj mend që në marrëveshjen e vitit 2021 të kemi thënë se do të ketë edhe një mandat tjetër pas pesë vjetësh… Zyra e Presidentes po thirret në shumëçka që në fakt nuk ekziston askund”, u shpreh Kryeziu-Hyseni.
Ajo theksoi se, pavarësisht kësaj, partitë e tjera politike nuk kanë treguar gatishmëri për ta mbështetur Osmanin. Sipas saj, Partia Demokratike e Kosovës e kishte kundërshtuar që në fillim, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kishte dhënë ndonjë garanci të qartë për mbështetje.
Kryeziu-Hyseni gjithashtu krahasoi mënyrën se si Osmani është trajtuar në dy partitë politike ku ka vepruar.
“Në kohën kur LDK e kishte vendosur Osmanin me numrin 86 në listën zgjedhore dhe madje ia mbyllte dyert duke mos e lejuar të merrte pjesë në organet e partisë, LVV ia hapi dyert zonjës Osmani, sepse na ka bashkuar një kauzë shumë e madhe”, deklaroi ajo.
Sipas deputetes së shumicës, pikërisht gjatë bashkëpunimit me Vetëvendosjen, Osmani arriti kulmin e mbështetjes elektorale.
“Me LVV, Osmani u bë politikania më e votuar në Kosovë, u zgjodh kryetare e Kuvendit dhe më pas presidente”, shtoi Kryeziu-Hyseni.















