Gazetari Parim Olluri ka komentuar fushatën zgjedhore të kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, duke ngritur akuza për mungesë transparence dhe dyshime për shkelje ligjore në një prej projekteve më të përfolura të Komunës.
“Mua po më vjen mirë që është pajtuar me Lumirin, sepse nuk kanë folur për dy vjet”, ka deklaruar Olluri me ironi në emisionin Pressing, duke iu referuar raportit të Ramës me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai tha se një vendim i marrë së fundmi nga Agjencia për Informim dhe Privatësi pritet të jetë temë kyçe në fushatën që po afron.
“Bëhet fjalë për urdhrin e AIP-së, që e detyron Përparim Ramën t’i bëjë publike pagesat për shokun e tij, Astrit Nixhën, në projektin ‘Arkitekti i Qytetit’. Janë mbi 10 milionë euro që kanë përfunduar tek ai, pa asnjë transparencë dhe me dyshime serioze për shkelje ligjore”, u shpreh Olluri.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka refuzuar kërkesat e qytetarëve për qasje në këto të dhëna, duke e detyruar AIP-në të ndërhyjë, njësoj si në rastin e Prindon Sadriut.
“Sipas mendimit tim, ky projekt është një hajni e madhe dhe e pastër, dhe do të jetë padyshim pjesë e debatit zgjedhor,” u shpreh Olluri.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka urdhëruar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, që të bëjë publike pagesat e realizuara në kuadër të tenderit 12 milionësh për projektin “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”.
Ky tender është përfshirë në kritika që nga faza e shpalljes, për shkak të parregullsive të evidentuara dhe ankesave të shumta. Fitues i kontratës është kompania e Astrit Nixhës – një bashkëpunëtor i afërt i Ramës, i cili ka qenë i përfshirë më parë në projekte të përbashkëta me të.