Policia në Mitrovicë të Veriut, në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka zhvilluar një aksion këtë të shtunë në afërsi të sheshit “Car Lazar”, pas informacioneve se në një podrum të një ndërtese mund të ndodheshin sende të kundërligjshme.
Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike, një pushkë gjahu, 50 fishekë, një kondak pushke, një palë pranga, një mbajtës pushke, një maskë kundër helmeve me çantën e saj, një këllëf arme si dhe pesë karikatorë të zbrazët.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëruar nisjen e hetimeve nën dyshimin për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Policia ka bërë të ditur se nga ky operacion nuk ka të arrestuar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar personat përgjegjës dhe origjinën e armëve të gjetura.