
Sot KQZ ka marrë vendim për akreditimin e 28 mediave vendore dhe ndërkombëtare për vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Për këtë ka reaguar OSBE. Këta të fundit kanë ‘’përshëndetur ngrohtësisht’’ vendimin e KQZ’së për të akredituar mediat në gjuhën serbe dhe mediat e tjera, duke vlerësuar se vendimi në fjalë forcon parimet gjithëpërfshirëse, shkruan Gazeta Express.
‘‘Misioni i OSBE-së në Kosovë përshëndet ngrohtësisht vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të akredituar mediat në gjuhën serbe dhe mediat e tjera për mbulimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor. Ky hap gjithëpërfshirës forcon parimet e transparencës, barazisë dhe lirisë së medias – elemente thelbësore për zgjedhje të lira dhe të drejta’’, thuhet në reagim.]
Tutje, shtohet se qasja në informacion në të gjitha gjuhët e komuniteteve është një komponent kyç i kuadrit shumetnik dhe demokratik të Kosovës.
‘‘Qasja në informacion në të gjitha gjuhët e komuniteteve është një komponent kyç i kuadrit shumetnik dhe demokratik të Kosovës. Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat forcon besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe mbështet pjesëmarrjen e informuar në nivel komuniteti’’, ka shtuar më tej OSBE.
Në fund, në reagim theksohet se ky mision mbetet i përkushtuar për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes.
‘‘Misioni mbetet i përkushtuar për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes, pluralizmin mediatik dhe qasjen e barabartë në informacion për të gjitha komunitetet, në përputhje me parimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare’’, përfundohet në reagimin e OSBE.