Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në takimin e sotëm kanë diskutuar edhe për mundësinë e zgjedhjes së presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli.
Osmani ka thënë se e ka përkrahur një gjë të tillë që nga viti 2010 dhe sipas saj, kjo do të shmangte shkuarjen në zgjedhje për parlament e Qeveri, meqë sipas saj s’ka kuptim që të shkohet në zgjedhje për këto dy institucione nëse dështon zgjedhja e presidentes në Kuvend.
“U diskutua mundësia e zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejt nga populli, e kam përkrahur që nga viti 2010. Kam përkrahur edhe amendamentet kushtetuese.”, ka thënë Osmani.
“Evitohen zgjedhjet nacionale. S’ka kuptim që për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentes të shkohet në zgjedhje për parlament e në Qeveri, dhe atë për një parlament e qeveri që mezi do të konstituohen”, ka shtuar Osmani.
“Kishte një vullnet të madh të partive politike që të shkohet me zgjedhje drejtpërdrejt nga populli, një instrument që e kam përkrahur gjithmonë”.
“Por kërkohet ndryshim kushtetues, është sfidues por jo e pamundur”, ka thënë ajo.
 
			 
			












