
Presidentja Vjosa Osmani u nderua sot nga UP-ja me çmimin “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”.
E papërmbajtur nga modestia, ajo tërthorazi tha se kombi “nuk ka arsye të frikësohet nga e ardhmja”, meqenëse përmes UP-së, ai po e nderonte atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, i cili gjithashtu e mori të njëjtin çmim.
Gjatë fjalimit, Osmani foli për kthimin “e bukur” të saj në UP, ku deri para disa vitesh angazhohej si asistente në Fakultetin Juridik.
Osmani tha se kishte “privilegjin” të ishte “edhe ligjëruese” në UP, pa dashur ta specifikonte nëse ishte profesoreshë, apo diçka tjetër.
Ajo, në fakt, është asistente – pra, mban gradën më të ulët akademike, të cilën e kishte fituar në vitin 2006.
Rolin e saj në UP, Osmani nuk ka dashur ta specifikojë shumë as në biografinë e publikuar në web-faqen e Presidencës.
“Që nga viti 2006, Presidentja Osmani ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe më vonë iu bashkua fakultetit të Universitetit Amerikan në Kosovë (RIT)”, thuhet ndër tjerash aty.