Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj akuzave të rënda që ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kishte bërë kundër tij në fund të vitit të kaluar. Pacolli ka rikujtuar se Peci kishte premtuar publikisht, madje duke e kufizuar kohën në ditë, se shumë shpejt do të paraqitej një “dëshmitar” që do ta denonconte atë për “vrasje të heronjve”.
“Rreth fundit të vitit të kaluar, Faton Peci – përveç ofendimeve dhe shpifjeve që më bëri publikisht – në dhjetëra emisione televizive pati premtuar se shumë shpejt (madje duke e kufizuar këtë kohë në ditë) do të paraqitej një “dëshmitar” që do të më denonconte për “vrasje të heronjve”.
Që nga atëherë ka kaluar shumë kohë – jo vetëm ditë e javë, por disa muaj – dhe ky “dëshmitar i paralajmëruar” ende nuk është shfaqur. Nëse ky dëshmitar nuk është paraqitur deri më tani, atëherë me plot të drejtë mund të konkludojmë se Faton Peci edhe një herë tjetër ka shpifur dhe ka gënjyer, ashtu siç ka bërë edhe në raste të tjera.” – tha ai.
Pacolli shtoi se “Kosova meriton ministra të përgjegjshëm, jo shpifës dhe gënjeshtarë!”