Biznismeni i njohur kosovar, Behgjet Pacolli, i cili në kohëra të ndryshme ka pasur edhe poste të larta shtetërore si president, zëvendëskryeministër, minister i jashtëm e deputet, ka dhënë një intervistë për FrontOnline, krejtësisht ndryshe nga ato që kemi parë dhe lexuar deri më sot.
Pacolli, është pyetur kryesisht rreth aeroplanit të tij privat, mjet ky që në vitet e 90-ta e kishte bërë atë të ishte personi i parë që kishte blerë një të tillë Ballkan dhe në gjithë bllokun lindor.
Biznismeni Pacolli, ka rrëfyer ekskluzivisht për FrontOnline rreth asaj se si ka ardhur ideja për ta blerë aeroplanin, kush e ka nxitur, shpenzimet që ka aeroplani i tij privat, për çfarë e ka përdorur dhe sa kilometra ka bërë me të.
Po ashtu, gjatë intervistës për FrontOnline, Pacolli, thotë se nuk e ka kursyer asnjëherë aeroplanin e tij privat për ta ndihmuar Kosovën dhe se ka përdorur atë edhe për nevoja ekskluzive të vendit, qoftë edhe për njohjen e pasaportave të vendit nga një shtet tjetër.
Pacolli: Nga viti 1992 e kam aeroplanin privat
Biznesmeni i njohur, Behgjet Pacolli, gjatë një interviste për FrontOnline ka zbuluar një fakt interesant rreth blerjes së aeroplanit, duke sqaruar se ka pasur një aeroplan privat që nga viti 1992.
‘’Aeroplanin privat e kam nga vitit 1992’’, tha ai për FrontOnline.
Pacolli theksoi se ka blerë aeroplanin për herë të parë gjatë vjeshtës së atij viti, dhe që nga atëherë ka vazhduar ta ketë aeroplanin privat.
‘’Ka qenë vjeshtë e atij viti, kur për herë të parë kam blerë aeroplan privat dhe nga ai vit kam pasur aeroplan privat dhe nëse flitet për çfarë kategorie, është i njëjti si i asaj kohe, vetëm se unë disa herë e kam ndërru, modelin e ri por të njëjtit fabrikës’’, shpjegoi Pacolli për FrontOnline
Pacolli: Ja pse vendosa ta blija aeroplanin privat
Behgjet Pacolli për FrontOnline, po ashtu ka zbulkuar një tjetër detaj nga jeta e tij profesionale, duke shpjeguar arsyet e tij për investimin në një aeroplan privat. Ai tha se një nga motivet kryesore për këtë vendim ishte nevoja për të kursyer kohën në një periudhë kur puna e tij ishte e ngarkuar dhe ai nuk kishte mbështetje nga familja për të deleguar përgjegjësitë.
Pacolli tha se kur vëllimi i punëve është rritur dhe ai ka qenë i vetmuar në përballjen me ato, ka kërkuar një mënyrë për të përshpejtuar procesin dhe për të menaxhuar kohën më efikas.
“Kur është rritur vëllimi i punëve dhe unë kam qenë i vetmuar dhe nuk kam pasur askënd nga familja që mund të merrte një pjesë të përgjegjësive, atëherë mu ka dashur që ta kursej kohë’’, tha Pacolli.
Ky vendim, sipas tij, ka qenë një hap i domosdoshëm për të menaxhuar angazhimet e tij të shumta dhe për të ruajtur një ritëm produktiv.
‘’E vetmja mundësi për të kursyer kohën ka qenë aeroplani privat, që për një kohë sa më të shkurtër të shkosh, të arrish të krysh punë dhe të kthehesh e të fillosh punën tjetër”, tha ai.
Pacolli: Aeroplanin e parë e kam blerë 26 milion dollar amerikan
Biznismeni Behgjet Pacolli, tutje për FrontOnline ka zbuluar se ka investuar një shifër të konsiderueshme të parave për ta blerë aeroplanin e tij privat.
Ai ka sqaruar se aeroplani i tij privat ka kushtuar 26 milionë dollarë, një shumë që në atë kohë ka qenë marramendëse, pasi nuk kishte ende monedhë euro.
“Të flitet për para, në atë kohë ka qenë shumë marramendëse. Aeroplanin privat e kam blerë 26 milion dollarë, sepse nuk ka pasur euro atëherë”, tha Pacolli për FrontOnline, duke theksuar se kjo shumë ka pasur një peshë të veçantë në periudhën kur ai e ka realizuar këtë investim.
Pacolli: Jam politikani i parë në Ballkan dhe bllokun lindor që kisha aeroplan privat
Behgjet Pacolli, ka ndarë një tjetër detaj të rëndësishëm nga periudha e tij e hershme profesionale, duke theksuar se ai ka qenë ndër të parët që ka investuar në një aeroplan privat, veçanërisht në vitet 1990.
Ai theksoi se, në atë kohë, ishte një nga të paktët në të gjithë bllokun lindor që kishte një aeroplan privat, duke përfshirë jo vetëm politikanët, por edhe individë të tjerë të zakonshëm.
“Unë nuk e di, sigurisht tash kanë bërë aeroplanë shumë njerëz, por në atë kohë e di që kam qenë prej njerëzve të vetëm në gjithë bllokun lindor, që ka pasur aeroplan privat, jo vetëm politikanë por edhe njerëzit e tjerë të rëndomtë që sot kanë arritur ta realizojnë edhe këtë. Dhe këtë primat e kam pasur gjatë tërë vitit 1990”, tha Pacolli.
Pacolli: Gjithmonë kam dashur të kem pilot shqiptarë, por s’kam gjetur, i kam pesë pilotë të huaj
Behgjet Pacolli, ka komentuar mbi mundësinë e angazhimit të pilotëve shqiptarë për aeroplanin e tij privat. Ai shprehu dëshirën e tij për të pasur pilotë shqiptarë, por sqaroi se nuk ka arritur të gjejë ndonjë me kualifikimet e nevojshme për aeroplanin e tij.
“Unë gjithmonë kam pasur dëshirë të kem pilotë shqiptarë, por nuk kam arritur të gjejë një të tillë me kualifikimet për aeroplanin tim dhe nuk kam pasur asnjë ofertë nga dikush që ta trajnoj, ta shkolloj dhe të kthehet e të bëhet pilot”, tha Pacolli.
Ai po ashtu theksoi se Fondacioni i tij ka mbështetur disa pilotë shqiptarë, të cilët kanë marrë çertifikatat e nevojshme dhe punojnë për kompani të ndryshme ndërkombëtare, por ata nuk janë pjesë e stafit të tij personal.
“Fondacioni im ka mbështetur disa pilotë që kanë marrë çertifikimet dhe punojnë nepër kompani të ndryshme botërore, por nuk janë pilotë që punojnë për familjen time”, shtoi ai.
Aktualisht, Pacolli ka pesë pilotë ndërkombëtarë që merren vetëm me aeroplanin e tij privat.
‘’Unë kam pesë pilot privat të cilët merren vetëm me aeroplanin tim dhe ata janë ndërkombëtar’’ u shpreh ai.
Pacolli: Me aeroplanin tim privat i bëjë 500 orë fluturim në vit
Biznesmeni i njohur, Behgjet Pacolli, ka treguar se përdorimi, i aeroplanit të tij privat është shumë i lartë, duke theksuar se ai është në lëvizje për 450-500 orë çdo vit.
Në një intervistë për FrontOnline, Pacolli shpjegoi se nuk është e mundur të llogariten shpenzimet në kilometra, pasi ato kalkulohen në orë fluturimi.
“Është shumë, sepse me kilometra nuk kalkulohen, por kalkulohen me orë. Po mendoj që koha që kaloj në aeroplan kalkulohet me orë dhe aeroplani im është në lëvizje nga 450-500 orë në lëvizje në vit. Nëse i bie se mesatarja është 900 orë, 500×900 del rezultati”, tha Pacolli.
Ai gjithashtu theksoi se aeroplani është gjithmonë në funksion, pasi ai e përdor atë vazhdimisht.
“Aeroplani prej që unë e përdor është gjithmonë në lëvizje. Sepse të kesh vetëm aeroplan dhe të rrinë pasiv, nuk ia vlen. Aeroplani është i nevojshëm, kur ti e fut në funksion dhe ti tërë kohën, sepse aeroplani kushton edhe kur qëndron. Ai kushton dhe diferenca duke ndejtur dhe duke fluturuar është vetëm kerozina, por shpenzimet janë të njëjta”, shtoi ai.
Pacolli: Rreth gjysmë milioni kilometra në vit i bëjë me aeroplanin tim privat, ky ishte momenti më i rrezikshëm
Behgjet Pacolli, ka ndarë përvojat e tij interesante dhe ndonjëherë të rrezikshme që ka pasur me aeroplanin e tij privat. Ai tha se kalon rreth gjysmë milioni kilometra në vit, duke theksuar se këto përjetime janë të shumta, por gjithsesi aeroplani për të është një mjet pune dhe jo luks.
“Kam pasur përvoja e përjetime të ndryshme sepse unë kaloj gjysmë milion kilometra në vit. Ka përjetime, por me rëndësi është se aeroplanin nuk e konsideroj si lluks, as si aset vetëm për ta futur në librat e kontabilitetit, por e konsideroj si aset pune, sepse e përdor për punë të ndryshme, në shtete të ndryshme”, tha Pacolli në një intervistë për FrontOnline.
Ai po ashtu kujtoi një incident të rrezikshëm me një aeroplan tjetër, që e kishte marrë për një udhëtim privat, ndërsa aeroplani i tij ishte në mirëmbajtje.
“Nuk kam rrezikuar ndonjëherë me aeroplanin tim privat, një herë kam rrezikuar me një aeroplan tjetër, që e pata marrë derisa i imi ka qenë në mirëmbajtje dhe e pata marrë privat nga Turqia. Dhe në moment të nisjes kemi pasur një avari dhe ajo ka mundur të ishte edhe tragjike, por u hetua para se të ngrihej në ajër dhe e kemi lënë atë aeroplan”, theksoi Pacolli.
Pavarësisht incidenteve të tilla, Pacolli ka besim të thellë tek teknika, por, siç tha ai, besimi i tij më i madh është në fuqinë e Zotit.
“Turbulenca ka pasur shumë, por ato harrohen. Unë i besoj teknikës, por më tepër i besoj në Zot, në Perëndinë, e deri kur ka thënë Zoti me jetu, jetoj, dhe aty është fundi, e që ne nuk e dijmë dhe ecim përpara duke besuar në fuqinë e Zotit”, përfundoi ai.
Pacolli: Për ta ndihmuar Kosovën kam shkuar në fund të botës, vetëm për një destiancion aeroplani im shpenzon 80 mijë €, kurrë nuk e kam kursyer atë dhe veten për vendin
Ish-Presidenti i vendit dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacoll, ka theksuar se ka përdorur aeroplanin e tij privat jo vetëm gjatë periudhës kur ka qenë në pushtet, por edhe pas largimit nga Qeveria, për të kontribuar në interes të Kosovës.
Në një intervistë për FrontOnline, Pacolli ka shpjeguar se lidhshmëria e tij me Kosovën është e madhe dhe ai ka bërë gjithmonë çmos për të ndihmuar shtetin.
“Jo vetëm kur kam qenë në pushtet, por edhe sot që nuk jam në Qeveri e bëjë atë. Lidhshmëria ime me Kosovën është e madhe dhe nuk kursej asgjë, në mënyrë që të kontribuoj Kosovës,” tha Pacolli.
Ai ka përmendur disa momente kur ka udhëtuar me aeroplanin e tij privat për të ndihmuar Kosovës në arritjen e disa arritjeve diplomatike.
“Ka pasur momente kur unë kam shkuar vetëm për një letër që ishin pranuar pasaportat e Kosovës, pata shkuar në fund të botës dhe suksesi ka qenë se ai shtet ka pranuar të pranojë pasaportat e Kosovës, e mos të flasim për njohje”u shpreh Pacolli për FrontOnline.
Pavarësisht kostove të larta të udhëtimit me aeroplan privat, Pacolli thotë se udhëtimet e tij kanë qenë të nevojshme për interesat e Kosovës.
“Ka pasur raste edhe më parë, që unë kam udhëtuar në gjithë botën, ku kam dëgjuar se është një shans për të kontribuar për Kosovën, unë kam shkuar, pa marrë parasysh koston, edhe pse kostoja me aeroplan është e madhe. Për një orë fluturimi, kostoja është 8 mijë euro, dhe për të kaluar 1 mijë kilometra me aeroplan,” shtoi ai.
Pacolli theksoi se, pavarësisht shpenzimeve, këto udhëtime kanë pasur një qëllim të qartë dhe të domosdoshëm për të ndihmuar Kosovën.
“Nëse është një udhëtim deri në Marako që janë 4 orë andej e 4 këndej, janë 80 mijë euro shpenzime, dhe ato nuk i bëj për arrogancë, por për shkak të nevojës” tha Pacolli.
Ai ka thënë se kursimi i kohës është shumë i rëndësishëm për të.
“Kursimi i kohës është shumë i rëndësishëm për mua dhe këtë ta mundëson kur ke aeroplan privat” përfundoi ai.
Pacolli: Shumë presidentë e diplomatë botëror i kam pritur e përcjellur me aeroplanin tim
Ish-shefi i diplomacies kosovare, Behgjet Pacolli ka theksuar se aeroplani i tij privat ka shërbyer jo vetëm për nevojat e tij personale, por edhe për Qeverinë e Kosovës gjatë periudhës kur ai ka qenë në pushtet.
Në një intervistë për FrontOnline, Pacolli ka zbuluar se shumë liderë dhe diplomatë të huaj kanë udhëtuar me aeroplanin e tij gjatë kësaj periudhe.
“Sa kam qenë në Qeveri, aeroplani im i ka shërbyer Qeverisë së Kosovës. Shumë presidentë, diplomatë nga e gjithë bota i kemi pritë dhe përcjellur me aeroplan timin, dhe unë konsideroj që sa kam qenë në Qeveri, ka qenë instrument edhe i Qeverisë së Kosovës” tha Pacolli.
Ai theksoi se përdorimi i aeroplanit privat ka qenë i çasshsëm edhe për Qeverinë e vendit
‘’Shumë presidentë, diplomatë nga e gjithë bota i kemi pritë dhe përcjellur me aeroplan timin dhe unë konsideroj sa kam qenë në Qeveri ka qenë instrument edhe i Qeverisë së Kosovë’’, potencoi Pacolli.