Gazetari Agustin Palokaj sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës i ka quajtur “masa hibrid” për arsye se s’kanë pasur vendim formal në unionin njëzet e shtatë shtetësh – ndërsa tha se shtete si Italia, Franca, Sllovakia dhe Hungaria po e bllokojnë heqjen totale të tyre duke shtyrë për një heqje graduale.
“Këto masa janë një hibrid në ndërmarrjen e BE-së, sepse për to nuk ka pasur një vendim të prerë formal, i cili do të shfuqizohej. Pra, nuk janë sanksione klasike. Janë masa që janë ndërmarrë nga institucionet e BE-së, duke u bazuar në një deklaratë politike, e që tash nuk ka pajtim nga të gjitha vendet anëtare që ato të hiqen”, thotë Palokaj për Radion Evropa e Lirë.
“Ato janë masa për projekte që i financon BE-ja – pra, janë financime të njëanshme, që nuk janë pjesë e marrëveshjeve formale me Kosovën. BE-ja i jep si grante për projekte, por edhe mund t’i ndalë vetë. Menaxhimi i tyre bëhet nga BE-ja dhe përfituesi nuk ka mekanizma për ta detyruar atë që t’i japë ato mjete”, thotë Palokaj.