Gent Gjini, avokati i komisioneres së PDK-së në Prizren, Blerta Bislimaj, e cila bën pjesë në mesin e 109 personave të arrestuar nën dyshimet për manipulim të votave, ka deklaruar se klientja e tij, gjatë dhënies së deklaratës në Polici dhe në procedurën paraprake, ka pohuar se është manipuluar dhe keqpërdorur nga politikanë, përmes ushtrimit të presionit.
Ai ka shtuar gjithashtu se Bislimaj ka deklaruar se gjatë procesit të numërimit të votave kanë qenë të pranishëm edhe vëzhguesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çka sipas tij dëshmon se procesi është zhvilluar nën mbikëqyrje institucionale.
Sa i përket caktimit të masës së paraburgimit, Gjini ka theksuar se një vendim i tillë do të ishte i padrejtë ndaj klientes së tij, duke marrë parasysh rrethanat e rastit.












