Rusia është e vendosur të testojë vendosmërinë e aleancës së NATO-s, duke përfshirë edhe zgjerimin e konfrontimit të saj me Perëndimin përtej kufijve të Ukrainës.
Ky, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është paralajmërimi që vjen nga shefi i inteligjencës së jashtme të Gjermanisë për organizatën e lajmeve Table Media.
Bruno Kahl, kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës, tha se agjencia e tij kishte indikacione të qarta inteligjence se zyrtarët rusë besonin se detyrimet e mbrojtjes kolektive të përcaktuara në traktatin e NATO-s nuk kishin më forcë praktike.
“Jemi mjaft të sigurt, dhe kemi informata që e tregon këtë, se Ukraina është vetëm një hap në udhëtimin drejt perëndimit”, citohet të ketë thënë Kahl.
“Kjo nuk do të thotë që presim që ushtritë me tanke të lëvizin drejt perëndimit”, shtoi ai. “Por ne shohim se premtimi i mbrojtjes kolektive të NATO-s do të testohet”.
Gjermania, tashmë ofruesi i dytë më i madh i armatimeve dhe mbështetjes financiare për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, është zotuar të rrisë më tej mbështetjen e saj nën qeverinë e re të kancelarit Friedrich Merz, duke premtuar të ndihmojë Ukrainën të zhvillojë raketa të reja që mund të godasin thellë në territorin rus.
Pa dhënë detaje mbi natyrën e burimeve të tij të inteligjencës, Kahl theksoi se zyrtarët rusë po parashikonin përballje që nuk përbënin një angazhim të plotë ushtarak që do të testonte nëse SHBA-të do t’i përmbushnin vërtet detyrimet e tyre për ndihmë të ndërsjellë sipas Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut.
“Ata nuk kanë nevojë të dërgojnë ushtri tankesh për këtë”, tha ai. “Mjafton të dërgohen burra në Estoni për të mbrojtur pakicat ruse që supozohet se janë të shtypura”.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 përfshinte pushtimin e ndërtesave dhe zyrave nga ushtarë rusë me uniforma të pashënuara dhe rroba civile, të cilët u njohën si “burrat e vegjël të gjelbër” kur Moska fillimisht mohoi identitetin e tyre.
Kahl nuk specifikoi se cilët zyrtarë në Moskë po mendonin në këtë drejtim.
Merz, i cili vizitoi Donald Trump në Uashington javën e kaluar, kundërshtoi pohimin e presidentit amerikan se Ukraina dhe Rusia ishin si “dy foshnje që luftonin”, duke i thënë Trump se aty ku Ukraina shënjestronte ushtrinë e Moskës, Rusia bombardonte qytetet e Ukrainës.
Por Kahl tha se kontaktet e tij me homologët amerikanë e kishin lënë të bindur se ata e merrnin seriozisht kërcënimin rus.
“Ata e marrin po aq seriozisht sa ne, falë Zotit”, ka thënë ai.