Njëri prej eksponentëve më të njohur të PDK-së në diasporë, Ragip Xhaka, ka bërë të ditur se nuk do të garoj në zgjedhjet e 28 dhjetorit për deputet në Kuvendin e Kosovës.
Në një postim të hapur, ai shprehu mirënjohjen e tij për Partinë Demokratike të Kosovës dhe udhëheqësit e saj, duke veçuar ish-kryetarin Memli Krasniqi dhe kryetarin aktual Bedri Hamza, për besimin e dhënë gjatë viteve.
“Pas një vlerësimi të kujdesshëm dhe për shkak të obligimeve familjare, profesionale dhe angazhimeve në Zvicër, kam vendosur që këtë herë të mos marr pjesë në garë,” tha ai.
Mirëpo, më 9 shkurt ai kishte kandiduar për mandat katër vjeçar, ndërsa tash gjatë të njëjtit vit thotë se i dolen obligime që po e pengojnë të kandidoj. Nëse do të fitonte dhe mandati të shkonte deri në fund, a thua do ta dorëzonte mandatin në gjysmë për ‘obligime’?!
Edhe pse ishte promovuar me pompozitet të madh, Ragip Xhaka në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte dështuar t’i marrë votat për t’u zgjedhur deputet.
Postimi:
Të nderuar bashkatdhetarë, miq dhe qytetarë të Republikës së Kosovës,
Dua t’ju informoj se në këto zgjedhje nuk do të jem pjesë e garës për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Së pari, shpreh mirënjohjen time të thellë për Partinë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetarin z. Memli Krasniqi, të cilët më dhanë mundësinë dhe nderin të jem pjesë e listës në zgjedhjet e kaluara. Po ashtu, falënderoj kryetarin aktual të PDK-së, z. Bedri Hamza, si dhe Kryesinë e partisë, për besimin dhe vlerësimin që më ofruan sërish për të qenë pjesë e listës edhe në këto zgjedhje.
Megjithatë, pas një vlerësimi të kujdesshëm dhe për shkak të obligimeve të shumta familjare, profesionale dhe angazhimeve në Zvicër, kam vendosur që këtë herë të mos marr pjesë në garë. Ky vendim ka ardhur me përgjegjësi dhe me respekt të madh për procesin zgjedhor dhe për të gjithë ju që keni besim tek unë.
Faleminderit nga zemra të gjithë bashkatdhetarëve dhe qytetarëve të Kosovës që në zgjedhjet e kaluara më nderuan me mbi 18,000 vota. Ky besim është një përgjegjësi dhe mirënjohje që do ta mbaj gjithmonë me krenari.
Si Kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër, do të vazhdoj të angazhohem maksimalisht për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për z. Bedri Hamza si Kryeministri i ardhshëm i vendit. Do të jem plotësisht në dispozicion të strukturave dhe aktivistëve tanë për të dhënë kontributin tim në këtë proces.
Me respekt,
Ragip Xhaka













