Takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe liderëve partiakë ka përfunduar.
Takimi po zhvillohet gati një javë pasi i mandatuari nga presidentja, Albin Kurti, i partisë fituese Vetëvendosje dështoi ta formonte qeverinë.
Sipas Kushtetutës, Osmani duhet të caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë.
Sidoqoftë, s’ka shenja se partitë mund të ndërtojnë një shumicë parlamentare që do të formonte institucionet e reja derisa zgjedhjet e jashtëzakonshme duken si të pashmangshme.
Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, dje pas një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, në përgjigje të pyetjes nëse do të ketë një mandatar të ri nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se këtë qëndrim do ta shpalosin sot në takimin me Osmanin.
Por, një përgjigje të qartë s’e dha sot kreu i kësaj partie.
“Do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje dhe falënderojmë presidenten për takimin”, tha Kurti për gazetarët para se të hynte në takim.
Takimi po mbahet pas një mbledhje të qeverisë ku u miratua buxheti për vitin 2026, veprim i cili i cilësua si kundërkushtetues dhe u kundërshtua ashpër nga partitë tjera, të cilat e akuzuan Kurtin për uzurpim të kompetencave shtetërore.
Po ashtu, në këtë mbledhje u morën vendime për rritjen e pensioneve e shtesave që po ashtu u panë si blerje votash me buxhetin e shtetit.
Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, kishte thënë se Presidentja në këtë takim do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”.
 
			 
			













