Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, po mban konferencë për media në lidhje me sulmin e fundit të SHBA-së në Iran, i cili sipas tij ka qenë një sukses i madh.
Ky reagim vjen pak pas deklaratave të liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili minimizoi dëmet e shkaktuara në objektet bërthamore iraniane, duke thënë se ato ishin të kufizuara.
Por Hegseth deklaroi ndryshe.
“Po sikur ta festojmë këtë? Ky ishte një sulm historikisht i suksesshëm dhe ne duhet ta festojmë atë si amerikanë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se të dhënat e ndryshme, të cituara nga agjenci ndërkombëtare, flasin për dëme të konsiderueshme ndaj programit bërthamor të Iranit.
Sipas tij, raportime të agjencisë atomike të Izraelit pretendojnë se impiantet e pasurimit janë bërë të paoperueshme, ndërsa kreu i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së dhe CIA – sipas Hegseth – konsiderojnë se programi iranian ka pësuar “dëme të mëdha” dhe “është dëmtuar rëndë”.
Hegseth kritikoi ashpër edhe raportimin e mediave për sulmin.
“Është e papërgjegjshme”, tha ai, duke akuzuar media të ndryshme për shtrembërim të të dhënave në mënyrë që operacioni amerikan të duket si i pasuksesshëm.
Sipas tij, misioni ka qenë kompleks dhe u krye me profesionalizëm të lartë nga forcat amerikane.