Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi pas lirimit të tij nga Policia e Kosovës për sulmin e djeshëm ndaj zyrtarit të FFK’së, Artan Govori ka dalur me një sqarim në Facebook duke e cilësuar vetëm si debat verbal.
Përmes faqes zyrtare të tij në Facebook kandidati për kryetar të FFK’së është munduar të arsyetohet për sulmin e tij ndaj Artan Govorit, duke thënë se kishte qenë një debat me qëllim të mirë për të sqaruar një situatë nga marrëdhënia e punës në FFK.
Ai tutje ka atakuar mediat, se po bashkëpunojnë me grupe të interesit, që sipas tij pasi u arrestua nga Policia, mediat po bëjnë jehonë, duke shfrytëzuar situatën zgjedhore në FFK.
Ademi i cili është raportuar se është i përfshirë edhe në disa rrahje të tjera brenda zyrave të FFK’së , ka deklaruar se pas deklaratave të të gjitha palëve, u sqarua se ka qenë vetëm një keqkuptim dhe kështu u liruan nga ndalimi disa orësh.
Kujtojmë që dje Artan Govori kishte treguar arsyen se pse ishte sulmuar nga Agim Ademi, e cila ishte një fotografi e bërë nga disa persona të angazhuar nga Agim Ademi, ku ai shihej me një ish punëtor të FFK’së, Bajram Zeqirin i cili po ashtu sipas Govorit është suspenduar nga Ademi.











