Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar lartë kontributin e Ministrisë së Bujqësisë dhe ministrit në detyrë, Faton Peci, në rritjen e kapaciteteve bujqësore të vendit, ndonëse ky i fundit është nën hetim nga organet e drejtësisë për një rast të dyshuar për korrupsion.
Gjatë një reagimi për Panairin “Agrokos & Agroturizëm 2025”, një ngjarje e përvitshme ku marrin pjesë prodhues të kulturave bujqësore, përpunues ushqimorë dhe përfaqësues të sektorit të agroturizmit, Kurti theksoi se rezultatet pozitive janë fryt i qeverisjes së suksesshme.
“E kjo padyshim është edhe rezultat i trajtimit me prioritet e seriozitet që i kemi bërë sektorit të bujqësisë dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci”, shkroi Kurti në Facebook.
Ai prezantoi edhe disa të dhëna për arritjet në bujqësi, duke theksuar mbështetjen financiare për fermerët dhe rritjen e sipërfaqeve të punueshme.
“Për herë të parë, janë ndarë 300 milionë euro për 120 mijë fermerë përmes granteve dhe subvencioneve, me ç’rast mbështetja për grurin është rritur me 275%, e për bujqësinë organike me 500%”.