Partia Demokratike e Kosovës po kërkon pezullimin e vendimit, dhe këtë do ta synojë edhe duke iu drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës nesër.
Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, tha sot se do ta procedojnë në Gjykatë vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për nxjerrjen e bizneseve në treg të hapur.
“Ne nga nesër do të procedojmë në Gjykatën Themelore të Prishtinës pezullimin e këtij vendimi. Do të kërkojmë masë të përkohshme në mënyrë që ky vendim të pezullohet dhe këto kompani të furnizohen me çmimin e njëjtë të energjisë elektrike siç janë furnizuar para marrjes së këtij vendimi”, tha ai.
Tahiri tha se nuk janë përmbushur kushtet “as obligimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji” për t’u implementuar ky vendim, në marrjen e të cilit tha se “ka shumë parregullsi”.
“Do ta argumentojmë mjaftueshëm në mënyrë që të kemi një masë të përkohshme sa i përket implementimit të këtij vendimi dhe kompanitë në fjalë të furnizohen me çmime të njëjta të energjisë elektrike”, tha ai.
Bizneset kanë protestuar disa herë kundër vendimit të ZRRE-së, sipas të cilit, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 të punësuar ose një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, janë në treg të hapur dhe furnizohen me energji me çmime të parregulluara nga shteti.