Më 9 korrik 2025, Parlamenti Evropian miratoi raportin për Shqipërinë, duke konfirmuar mbështetjen për procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Raporti i miratuar me 502 vota pro nga 686 të pranishëm, vlerëson progresin e Shqipërisë në fusha kyçe dhe mbështet reformat që po kryhen, veçanërisht në konsolidimin e shtetit ligjor.
Në raportin e hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder, vlerësohet përparimi i Shqipërisë, në fusha kyçe, si drejtësia, antikorrupsioni, liria e medias dhe funksionimi i institucioneve demokratike, duke theksuar gjithashtu nevojën për adresimin e sfidave të mbetura për të garantuar një integrim të suksesshëm në BE deri në vitin 2030.
Gjithashtu raporti theksohen edhe disa problematika, sidomos në lidhje me emërimet në dy organet kyçe të drejtësisë: Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Raporti evidenton mungesën e rregullave të brendshme për funksionimin efikas të këtyre institucioneve, si dhe nevojën për rishikimin e rregulloreve për të trajtuar konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre.
Kështu, raporti thekson: “Këshillit të Lartë Gjyqësor i mungojnë rregullat e brendshme të nevojshme për të ushtruar funksionet e tij në mënyrë efektive, ndërsa ato të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkojnë rishikim. Të dy Këshillat nuk kanë rregullore të brendshme për konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre, duke bërë që rastet e mundshme të konflikteve të interesit të mos trajtohen”.