Ministri në detyrë, Faton Peci ka hedhur akuza në drejtim të Prokurorisë dhe gazetarëve, kjo pas bastisjes që ndodhi gjatë javës që lamë pas në institucionin që ai e drejton.
Ministri i Bujqësisë, fillimisht akuzoi zyrtarët policorë se e nxorrën nga dera kryesore vetëm zyrtarin që ai e kishte shpallur “Punëtori i vitit”.
Peci vazhdoi edhe më tutje, duke thënë se gazetarëet shkuan para ministrisë pesë minuta pasi nisi bastisja, duke aluduar kështu se u informuan nga dikush brenda prokurorisë.
Krejt kjo sipas tij, “për të bërë filma”:
“Po tash, shumë osht interesant, lajmi ka dalë në kronikën televizive të së dielës, në lajme mbrëmje. Nesër në ora 8:00 prokuroria ka urdhëru bastisje, kanë taku 4 zyrtarë, tre i kanë largu përmes hyrjes tjetër. Ndërsa, njërin që unë e kam shpallë vitin e kaluar “Punëtori i vitit” e kanë nxjerë nga dera kryesore.
Pesë minuta pasi që policia ka hy mrena, mediat kanë qenë para ministrisë. Qysh është e mundur që urdhëri i prokurorisë, që dikush nga mediat është i informum, vihet për me bo filma. Kam qenë në vizitë, në mbrëmje kam shku e kam shiku ndeshjen futbollistike, kur jam kthy me marrë veturën para ministrisë, një pseudogazetar, analist, që për mu është kriminel hibrid, kanë raportu që unë kam fsheh dosje deri në ora 12 të natës. Unë nuk kam dosje, nuk e posedoj asnjë dosje” – tha Peci në “ATV”.