Blerim Pacolli, vëllai i deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ka marrë grant gati 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë në një projekt për ndërtimin e stallët dhe lopë qumështore. Afera u bë edhe më e madhe, kur u mor vesh që kompania në fjalë, “Alda Farm Ria” u regjistrua si biznes vetëm pak ditë para se ta merrte grantin. Derisa ministrit Peci iu deshën disa orë që të reagojë në lidhje me këtë, para pak javësh, ai lavdërohj se si i ka menaxhuar mjetet e subvencioneve dhe granteve.
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli në një video të publikuar të premten, tregonte se si Blerim Pacolli ka fituar grantin rreth 97 mijë euro, i cili motrën e ka Kryetare të Komisionit për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës.
“Familjarët janë veç për dasma, thoshte Lëvizja Vetëvendosje para se me ardhë në pushtet. Ama, deputetja Fitore Pacolli e ka shpërbly vëllaun me grant gati 100 mijë euro, prej Ministrisë së Bujqësisë.” – tregon Pacolli mes tjerash në këtë video.
Më vonë, analisti Lirim Mehmetaj do ta publikonte edhe kontratën që e ka bërë ministria e Pecit me vëllain e Fitore Pacollit.
“Faton Peci, i njohur ndryshe edhe si Faton Krimineli, ia ndan 100 mijë euro kompanisë së Blerim Pacollit, vëllait të Fitore Pacolit, deputete e Vetëvendosjes dhe Kryetare e Komisionit për Bujqësi. Për me ja jep dimensionin e një krimi të paparë në këto treva, firma regjistrohet me 12 korrik 2024 e 100 mijë euro i ndahen pas 4 dite, me 16 korrik 2024. Pra, firmë e krijume veç për me i rru qato 100 mijë euro.” – u shpreh ai.
Reagimi i Pecit
“Një përfitues i caktuar” e quan Peci në reagimin e tij vëllain e deputetes me partinë e së cilës bashkëqeverisë. Ai thotë se “nuk vlerëson e nuk favorizon” se kush përfiton nga programi i granteve.
“Në lidhje me pretendimet e bëra nga Zyra e LDK-së për ndikim në përzgjedhjen e një përfituesi të caktuar, dëshiroj të sqaroj se Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve.” – tha ai në një shkrim në rrjetin social Facebook.
Tutje, ai ka paralajmëruar se të hënën do të publikojnë listën e asamblistëve të partive opozitare që kanë fituar nga ky program.
Megjithatë, Peci askund nuk e adreson faktin se kompania në fjalë, ishte hapur vetëm pak ditë para se t’i fitonte gati 100 mijë euro nga paratë publike.
Si lavdërohej ministri?
Në një intervistë dhënë para pak javësh, ministri i Bujqësisë thoshte se ka bërë revolucion në menaxhimin e 300 milionë eurove të granteve dhe subvencioneve.
“Nuk ka nevojë askush prej studios me i tregu fermerit a ka pasë progress a s’ka pasë me ministër Faton Pecin në sektorin e Bujqësisë. Dallim radikal. Kemi dhënë përkrahje 300 milionë euro, prej 300 milionë euro ofrim për sektorin e Bujqësisë, i pari i ministrisë nuk ka ushtru ndikim as edhe në një rast të vetëm se kush do të jetë përfitues i subvencioneve edhe i granteve.” – kishte thënë ai në “DPT Fidani”, transmeton Nacionale.
“Kjo nuk është revolucionare vetëm për rajon apo Ballkan, por kjo nuk besoj që ekziston as në BE, ku një ministër ka në menaxhim 300 milionë euro edhe nuk ushtron asnjë ndikim.”– u shpreh ai.