Serbët e Kosovës mund të përdoren si ‘mur i gjallë’ për mbrojtjen e presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
I tillë është paralajmërimi i kryetarit të Lëvizjes Kombëtare Serbe (SNP) dhe ish-kryetarit të Graçanicës, Branimir Stojanoviq.
Siç përcjell mediumi serb ‘Nedeljnik’, ai ka thënë se planet janë që këta serbë të qëndrojnë para Presidencës së Serbisë për 25 ditë me radhë.
Pushteti në Serbi, sipas tij, po kërkon burra që nuk kanë fëmijë dhe do të marrin nga 20 deri në 50 euro në ditë.
“Në mars, qeveria planifikon të sjellë qindra serbë prej Kosovës në Beograd me qëllim që t’i përdorë ata si grep për incidente e për t’i thyer protestat studentore”, ka thënë Stojanoviq.
Me këtë rast, ai ka shfaqur dyshimin se pushteti në Serbi dëshiron t’i shpërdorojë këta serbë për “prodhim konflikti”.
“Ata kanë nevojë për një arsye për shtypje”, ka vlerësuar ai duke shtuar se në një skenar të tillë, serbët nga Kosova janë grep për incidente si dhe shkas që policia t’i shtypë protestat e studentëve.
Stojanoviq, i cili dikur ka qenë zyrtar i Listës Serbe, ka theksuar se ndërhyrja e policisë pastaj do të shitej si mbrojtje e serbëve të Kosovës që erdhën në Beograd.
“Autoritetet duan t’i diskreditojnë protestat gandiste të studentëve, që shfaqin dashuri e solidaritet. Autoritetet duan fotografi të shëmtuara, e jo aso të bukura, siç kemi parë në periudhën e mëparshme në Nish”, ka thënë ish-kryetari i Graçanicës.
Tutje, Stojanoviqi ka thënë se, bazuar në informacionin e tanishëm, planet janë që serbët nga Kosova të qëndrojnë në Beograd për së paku 25 ditë.
“Ata po planifikojnë 5 ndërrime për 5 ditë, por ende nuk dihet se kur do të largohen nga Beogradi”.
Sipas tij, numrat janë ende duke u llogaritur, porse mbështetur në atë që di partia e tij “750 serbë nga Republika e Kosovës do të shkojnë në Beograd”.
“Ata do të sjellin 100 njerëz vetëm nga Graçanica. Janë përgatitur tendat dhe e gjithë logjistika e nevojshme për qëndrim më të gjatë”, ka thënë Stojanoviq.
Ai ka shtuar se dihet që secili që vjen në Beograd do të paguhet mes 20 dhe 50 euro në ditë.
“Është karakteristike që po kërkohen burra që nuk kanë fëmijë për të ardhur në Beograd”, ka shtuar më tej Stojanoviq.
Kryetari i Lëvizjes Nacionaliste Serbe ka theksuar po ashtu se ka informacione që qeveria po sjell punëtorë nga Kosova për të zëvendësuar njerëzit që tashmë janë në grevë në Serbi.
“Kemi informacione se postierë nga Kosova janë vendosur në Novi Sad, aty ku punonjësit e Postës së Serbisë janë në grevë. Ka zëra mes serbësh se një grevë pritet të mbahet edhe në Telekomin e Serbisë, kështu që njerëz nga Kosova po bëhen gati t’ua zënë vendin”, ka shtuar Stojanoviq.