Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka reaguar pas raportimeve për dyshime mbi të ashtuquajturin “treni bullgar” në Mitrovicë, duke e cilësuar këtë si një alarm serioz për demokracinë dhe integritetin e procesit zgjedhor në vend.
Në një postim në rrjete sociale, Gashi theksoi se këto çështje nuk mund të trajtohen vetëm si raste penale, pasi sipas tij, problemi është më i thellë dhe ka natyrë politike e institucionale.
“Dyshimet për trenin bullgar’ në Mitrovicë janë alarm serioz për demokracinë dhe integritetin e procesit zgjedhor. Këto çështje nuk mund të trajtohen vetëm si raste penale, sepse problemi është shumë më i thellë, është politik, institucional dhe lidhet drejtpërdrejt me besimin e qytetarëve në votë,” ka shkruar Gashi.
Ai ka bërë të ditur se nëse organet e drejtësisë vërtetojnë manipulimin e vullnetit të qytetarëve, ai nuk do të votojë dhe as do të certifikojë rezultatin zgjedhor në komunën e Mitrovicës.
“Askush nuk ka të drejtë të përvetësojë zërin e qytetarëve për interesa të ngushta politike. Kodimi i fletvotimit për çdo vendvotim ka pasur një qëllim të qartë dhe të drejtë: të ndalojë manipulimet, të prishë ‘shinat e trenit bullgar’ dhe të mbrojë integritetin e votës,” ka shtuar ai.
Në fund të reagimit, Gashi ka kërkuar një hetim të plotë dhe të paanshëm për këtë rast, duke theksuar se demokracia mund të mbrohet vetëm përmes të vërtetës dhe drejtësisë.
“Demokracia nuk mund të mbijetojë mbi mashtrime dhe manipulime, ajo mbrohet vetëm me të vërtetën dhe drejtësinë,” ka përfunduar Gashi.












