Biznesmeni Bujar Shabani, i cili është një nga përfituesit më të majmë të tenderëve përgjatë Qeverisë Kurti dhe njëherësh edhe asociohet si shok i ish-zëvendësministrit Hysen Durmishi, tentoi që veprën penale të mashtrimit me tenderë ta rikualifikojë dhe t’ia zbusë dënimin vetes përmes një ankimimi në Gjykatën e Apelit. Megjithatë, kjo e fundit ia la në fuqi të gjitha pikat e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Gjykata e Apelit vitin që shkoi e refuzoi si të pabazuar ankesën e biznesmenit të akuzuar Bujar Shabani dhe la në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Me këtë vendim, Shabani mbetet i shpallur fajtor për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik. Ai ishte dënuar me 6 muaj burg, por dënimi i ishte zëvendësuar me gjobë prej 5,000 euro, si dhe një gjobë shtesë prej 10,000 euro.
Po ashtu, atij i ishte ndaluar pjesëmarrja në tenderë publikë për 3 muaj.
Gjykata Themelore kishte vendosur që të dëmtuarit t’i drejtohen procedurës civile për kompensim, ndërsa i akuzuari duhet të paguajë edhe shpenzimet e gjykatës dhe disa tarifa shtesë.
Biznesmeni Shabani ishte ankuar në Apel duke pretenduar shkelje procedurale, vlerësim të gabuar të fakteve dhe kishte kërkuar ndryshim të kualifikimit të veprës, duke thënë se bëhej fjalë vetëm për gabim teknik dhe jo për mashtrim.
Megjithatë, Gjykata e Apelit vlerësoi se ankesa nuk qëndron. Në një vendim të cilin e ka parë Gazeta Insajderi, Apeli argumenton duke thënë se i akuzuari e kishte pranuar fajësinë gjatë gjykimit dhe ky pranim ishte mbështetur edhe me prova të tjera, si dëshmitë dhe materialet në dosje.
Shkalla e dytë e gjykatës tha se, pasi fajësia është pranuar dhe është vërtetuar me prova, nuk mund të pretendohet më se bëhet fjalë për gabim teknik.
Po ashtu, Apeli vlerësoi se nuk ka pasur shkelje të ligjit penal dhe se dënimi i shqiptuar është i drejtë, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
“Me ankesën e të akuzuarit, aktgjykimi i ankimuar kundërshtohet edhe për vendimin përkitazi me masën e ndalimit të pjesëmarrjes në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik, mirëpo, në arsyetim nuk thuhet asgjë, përveç, kërkesës për heqjen e masës në fjalë, për çka, kjo gjykatë edhe në këtë drejtim ankesën e të akuzuarit e refuzoi si të pabazuar, ngase, gjykata e shkallës së parë, duke vepruar në bazë të dispozitave të nenit 415 par. 4 të KPRK-së, të akuzuarit i shqiptoi edhe masën në fjalë, pra, duke vepruar kështu në bazë të KPRK-së, prandaj, edhe nuk u mor parasysh kërkesa e të akuzuarit në këtë drejtim, për çka, edhe u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi“, thuhet ndër të tjera në vendim të Apelit.
Së këndejmi, Gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi të gjitha vendimet e shkallës së parë, përfshirë edhe ndalimin për pjesëmarrje në tenderë.
Si tentoi Bujar Shabani të mashtrojë me një dokument të rremë?
Sipas aktakuzës së ngritur më 26 prill 2022 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në muajin mars të vitit 2019, i pandehuri si pronar i Operatorit Ekonomik NPSH ‘Bageri’, me seli në Ferizaj, me vetëdije kishte shkelë rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokument të rremë, në atë mënyrë që me rastin e ofertimit në projektin ‘Zgjerimi i rrugës në fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi’, me numër të prokurimit 656-19-3136-511 dhe ofertimin në projektin ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc’, me numër të prokurimit 656-19-3386-511, kishte ofruar të dhëna të rreme, përkatësisht kishte falsifikuar kontratat e punës të lidhura me të dëmtuarit Arben Vranovci dhe Violeta Aliu, duke ndërruar përmbajtjen e kontratave të punës.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shabani e po ashtu pa lejen dhe dijeninë e të lartcekurve kishte përdorur diplomat e kualifikimit universitar, CV-të, referencat si dhe licencën për kryerjen e matjeve kadastrale në emër të Violeta Aliut, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, me ç’rast i njëjti është përzgjedhur si tenderues i suksesshëm duke përfituar projektin trevjeçar ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc.
Dëshmitari Vranovci kishte deklaruar se në vitin 2019 dyshonte se kompania “Bageri” po e përdorte ende diplomën pa dijeninë e tij, prandaj i telefonoi dhe i shprehu dyshimet e tij.
“Në vitin 2019, dyshova se Bujari nuk e kishte ndaluar përdorimin e diplomës sime, kështu që e thirra dhe i shpjegova dyshimet e mia. Ai më tha se e kishte marrë diplomën time të shkollës së mesme sepse nuk i nevojitej, por po e mbante për të forcuar pozicionin e tij. Pastaj më ofroi përsëri të bashkëpunonim, por këtë herë bëmë një kontratë”, kishte thënë ai para gjykatës.














