Sot janë bërë 26 vjet nga një prej krimeve më të rënda që ka përjetuar qyteti i Vushtrrisë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Më 22 maj 1999, dhjetëra civilë shqiptarë u ndalën, u ekzekutuan dhe u masakruan nga forcat serbe, vetëm pse ishin shqiptarë.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, përmes një postimi në rrjete sociale ka kujtuar këtë ngjarje të rëndë dhe ka shprehur nderim për viktimat e masakrës.
“Sot mbushen 26 vjet nga një ndër krimet më të rënda që përjetoi qyteti i Vushtrrisë. […] Kujtimi i tyre mbetet i gjallë në ndërgjegjen tonë. Me homazhe dhe përulje, nderuam jetët e ndërprera dhunshëm, dhe rikujtuam se liria që gëzojmë sot është e shkruar me gjakun e tyre,” ka shkruar Idrizi.
Në nderim të viktimave, janë zhvilluar homazhe pranë memorialit kushtuar të rënëve, ku morën pjesë familjarë të viktimave, përfaqësues institucionalë, qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta.
“Nderim të përjetshëm për të rënët e 22 Majit. Lavdi të gjithë martirëve të kombit!” ka përfunduar Idrizi mesazhin e tij përkujtimor.
Masakra e 22 Majit mbetet një nga plagët më të thella të luftës në Kosovë, ndërsa kërkesa për drejtësi për viktimat mbetet ende e pazgjidhur.