Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka përkujtuar ish Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright në trevjetorin e vdekjes.
Në përkujtim, Ambasada Amerikane përmendi lidershipin e saj të guximshëm në lidhje me Ballkanin, dhe specifikisht Kosovën.
“Jeta e Madeleine Albright ishte personifikimi i ëndrrës amerikane dhe lidershipi i saj i guximshëm në Ballkan shpëtoi jetë të panumërta. Progresi i Kosovës është një homazh i vazhdueshëm ndaj trashëgimisë së saj”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në X.
Ambasada e SHBA-së kujtoi se në SHBA, Sekretari i Shtetit është “diplomati më i lartë i kombit” – “personi përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme të Presidentit, forcimin e marrëdhënieve diplomatike në mbarë botën dhe menaxhimin e një force të madhe pune globale”.
Albright vdiq më 23 mars 2022, në moshën 84-vjeçare. Ajo ishte gruaja e parë e zgjedhur Sekretare e Shtetit e SHBA-së në vitin 1997. Shërbeu në administratën e Bill Clintonit në një kohë lufte në Kosovë dhe emri i saj mbetet i paharruar në vendin e vogël ballkanik pikërisht për rolin e saj në pëfundimin e kësaj lufte dhe çlirimin e tij.