Kavanoz të pa dezinfektuar e të lënë në tokë. Tym duhani gjithandej, në ordinancën e Mujë Halitit në Prishtinë nuk kishte asnjë element që të çonte mallin e një klinike profesionale me higjienë të duhur.
Vendi ishte i ngushtë e njerëzit që trajtoheshin qëndronin bashkë me klientët që prisnin në radhë, pikërisht aty ku edhe Muja nuk e ndalte duhanin.
Në Kiks Kosova, pacientë që janë trajtuar ndër vite te Bio Muja, kanë rrëfyer tmerrin që përjetuan brenda të ashtuquajturës klinikë të tij.
Të pakënaqur e të zhgënjyer jo vetëm me trajtimin por edhe papastërtitë të cilat nuk kishin se si të mos vëreheshin.
Kiks Kosova insistoi të marrë një përgjigje nga Inspektorati Shëndetësor.
Më 22 maj të këtij viti, përmes postës elektronike, emisioni drejtoi pyetjet në adresën e institucionit.
Ndonëse institucioni nuk iu përgjigj pyetjeve të para të emisionit, Kiks Kosova vazhdoi të insistonte që të ketë të paktën një përgjigje.
Të shumta ishin edhe thirrjet telefonike në numrin zyrtar të Inspektoratit.
Duke qenë se ankesat e qytetarëve po vazhdonin, Kiks Kosova, më 30 maj, dërgoi edhe një herë kërkesë për sqarim dhe pyetje drejtuar këtij institucioni.
Institucioni, si herën e parë, si sot, duket se ka mbyllur sy e vesh, dhe ka vendosur që emisionit e qytetarëve, t’i përgjigjet me heshtje.