Tonino Picula, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Serbia nuk dëshiron të takohet me përfaqësuesit e delegacionit të Parlamentit Evropian sepse ata “po vijnë të paftuar” në Beograd. Picula i tha televizionit serb “Nova” se nuk është e vërtetë që delegacioni i PE-së po vjen pa paralajmërim, se është njoftuar ambasada e Serbisë në Bruksel dhe se në vetë programin ka punuar delegacioni i BE-së në Beograd, transmeton Paparaci.
“Kjo është praktikë e zakonshme e Parlamentit Evropian, këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, përveç këtij reagimi të pushtetit dhe gjendjes në vend. Qëllimi themelor i delegacionit tonë, i përbërë nga deputetë të ndryshëm nga parti të ndryshme në PE, është që përmes bisedave të drejtpërdrejta me ata që pasqyrojnë disponimin e qytetarëve të Serbisë, të krijojmë një pasqyrë më të plotë për shtetin në të cilin gjatë vitit të fundit po ndodhin gjëra të ndryshme. Pse autoritetet janë përcaktuar për këtë lloj bojkoti, do të thosha se bëhet fjalë për shmangie nga përballja nga biseda me ata që janë kyç për vendimmarrjen lidhur me hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Picula.
Të kujtojmë se kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, kishte deklaruar më herët se eurodeputetët nuk ishin ftuar dhe se, gjoja, “nuk kishin kontaktuar” autoritetet në Beograd lidhur me këtë çështje, si dhe se ajo “kishte takime të planifikuara” më parë në Estoni. Sot ajo deklaroi se ata po vijnë si “turistë” dhe se kjo nuk është “asgjë e rëndësishme”. Përndryshe, vetë kryetarja e Kuvendit, në deklarimin e saj të parë lidhur me këtë çështje, thekson edhe: “Ambasada jonë në Bruksel ka marrë informacion dhe na ka thënë se ata do të vijnë tek ne në Kuvendin e Republikës së Serbisë për të hetuar faktet”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar dje në Abu Dabi se nuk dëshiron të takohet me delegacionin e BE-së, sepse “nuk i shkon ndërmend të humbasë kohë me ta”.












