Zbatimi i planit amerikan për paqe në formën aktuale mund të rezultojë që Rusia të fitojë një territor pothuaj sa madhësinë e Luksemburgut pa pasur nevojë të luftojë për të, sipas llogaritjeve të agjencisë franceze AFP bazuar në të dhënat e Institutit për Studimin e Luftës (ISW).
Sipas iniciativës amerikane, e cila i është treguar AFP‑së, parashikohet që ushtria ukrainase të tërhiqet nga territoret që ende kontrollon, gjë që do t’i sillte Moskës një fitore neto prej rreth 2.300 km², një sipërfaqe thuajse e barabartë me Luksemburgun (2.590 km²).
Sipas planit, Ukraina do t’i dorëzojë afro 5.000 km² në rajonin e Donetskut dhe 45 km² në rajonin e Luhanskut.
Në këmbim, Rusia do t’i kthejë Ukrainës gati 2.000 km² në rajonin e Kharkivit, 450 km² në rajonin e Dnipropetrovskut, 300 km² në rajonin e Sumes dhe 20 km² në rajonin e Chernigovit.
Në përfundim, plani që Shtetet e Bashkuara propozojnë do të nënkuptonte dorëzimin e 20% të territorit ukrainas, për të marrë mbrapsht më pak se 0,5 për qind sipas AFP‑së.
Ndryshe, Ukraina ka pranuar një plan të paqes të hartuar nga amerikanët, i cili po kritikohet gjerësisht prej evropianëve.













