Pas shkatërrimit të një plantacioni të kanabisit në Pejë vitin e kaluar, vlera e të cilit kapte shifrën e 5 milionë eurove, Policia e Kosovës është në kërkim të dy shtetasve shqiptarë të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet kriminal.
Në nëntorin e vitit 2024, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, autoritetet kanë shkatërruar plantacionin e kanabisit dhe kanë lëshuar urdhër-arrest për 9 persona.
Tani, Policia ka njoftuar se është në kërkim edhe të dy shtetasve shqiptarë, Klodian Qokli dhe Shkëlqim Xhiaj, siç mëson Insajderi, si të dyshuar për rastin e plantacionit të kanabisit me vlerë 5 milionë euro.


Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit janë shpallur në kërkim për veprat penale “kultivim i bimës së hashashit” dhe “blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Policia ka publikuar fotot dhe të dhënat e dy shtetasve të kërkuar, duke apeluar për bashkëpunim nga qytetarët për arrestimin e tyre. Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur të gjithë rrjetin e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Në nëntorin e vitit të kaluar, Gazeta Insajderi kishte raportuar për një aksion anti-drogë të zhvilluar më 27 shtator në Pejë, ku Policia e Kosovës kishte sekuestruar 1 mijë kilogramë drogë.
Ky aksion kishte qenë pjesë e hetimeve për një grup të dyshuarish të akuzuar për kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit.
Grupi dyshohej për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas hetimeve, grupi kishte mbjellë rreth 2,850 bimë kanabisi, të cilat kishin për qëllim tharjen dhe shitjen.
Mbjellja e kanabisit ishte kryer në disa parcela, pronarët e të cilave ende nuk ishin identifikuar.
Policia kishte arritur të sekuestrojë telefonin e një prej të arrestuarve, i cili pritej të ekzaminohej për detaje të mëtejshme të aktivitetit kriminal.
Deri atëherë, një shtetas shqiptar, Aleks Gërbi, ishte arrestuar, ndërsa nëntë të tjerë ishin në arrati.
Hetimet për grupin vazhdonin.
Në lidhje me rastin, mësohet gjithashtu se në Republikën e Shqipërisë ishte arrestuar Erion Etemaj, me urdhër të Prokurorit Ersan Qavolli.
Për të dyshuarin pritej që Prokuroria të kërkonte ekstradimin e tij në Kosovë.
Ky aksion kishte qenë nën udhëheqjen e Prokurorit Ersan Qavolli dhe vazhdonte të ishte pjesë e një hetimi më të gjerë lidhur me trafikun e narkotikëve.