Presidenti amerikan Donald Trump ka mbajtur një fjalim entuziast gjatë forumit të investimeve ShBA-Arabi Saudite, ku ka vlerësuar lart marrëdhëniet midis dy vendeve, duke i quajtur ato “më të fuqishme se kurrë më parë”.
“Po ndërmarrim hapa të rinj për ta bërë marrëdhënien tonë më të afërt, më të fortë dhe më të fuqishme se kurrë më parë,” ka deklaruar ai mes duartrokitjeve të të pranishmëve, raporton BBC.
Tutje ai ka shtuar se kjo gjë “do të mbetet kështu,” duke theksuar se ShBA nuk sillet “herë brenda, herë jashtë si disa të tjerë”, megjithëse nuk e bëri të qartë se për kë e kishte fjalën.
Në fjalën e tij Trump gjithashtu ka kujtuar vizitën e tij të mëparshme në Arabinë Saudite dhe mikpritjen që kishte marrë nga “njeriu i madh”, mbreti Salman. Ai theksoi se kjo vizitë shënonte 80 vjet partneriteti midis ShBA-së dhe Arabisë Saudite, një lidhje që sipas tij ka qenë “themelet e sigurisë dhe prosperitetit”.
Ndërsa, duke marrë fjalën përderisa këndohej “God Bless the USA”, Trump e cilësoi Arabinë Saudite si një “vend të shkëlqyer” me “njerëz të jashtëzakonshëm”, ndërsa falënderoi princin e kurorës Mohammed bin Salman, të cilin e përshkroi si “një burrë të jashtëzakonshëm”.
Trump poashtu ka folur për arritjet e administratës së tij në fusha të ndryshme si emigracioni dhe forcat e armatosura.
“Po shkëlqejmë, Shtetet e Bashkuara janë vendi më i nxehtë në botë – me përjashtim të vendit tuaj, sigurisht,” është shprehur ai mes të qeshurash dhe duartrokitjesh, në një ditë që temperaurat kishin arritur në 40 gradë Celsius.