Policia e Maqedonisë së veriut ka arrestuar para disa ditësh dhe po e mban në paraburgim biznesmenin kosovar Sedat Bashota, derisa po hynte nga Kosova për këtë shtet.
Veriu.info mëson se arsyetja e arrestim të pronarit të kompanisë Alliance Kosovo Sh.P.K. lidhet me një urdhër-arrest të lëshuar nga Gjermania, e cila po e kërkonte biznesmenin nga Mitrovica.
Rastin për Veriu.info e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së veriut, pa pranuar të jep detaje.
“Lidhur me kërkesën tuaj, ju informojmë se të gjitha të dhënat në lidhje me personin për të cilin po pyetni janë dorëzuar shërbimeve kompetente të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e sotme për Veriu.info të dhënë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së veriut.
Veriu.info ka kërkuar të marrë informacion për këtë arrestim edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e veriut dhe Policia e Kosovës, por asnjëri nga këto institucione nga ka kthyer përgjigje.
Përgjigje nuk ka kthyer as kompania Alliance Kosovo Sh.P.K., që është në pronësi të Sedat Bashotës.
Ndryshe, Sedat Bashota është aksionar edhe në kompaninë Group – AMB Sh.P.K. me 25%, kompani kjo që zotëron qendrën tregtar LUX MALL në Mitrovicë.














