Policia e Kosovës ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili ndërroi jetë pas ndërhyrjes së Policisë në Lipjan, në orët e para të 7 korrikut.
Sipas njoftimit, rreth orës 00:12, Policia ka pranuar gjashtë thirrje nga qytetarët që kishin raportuar për një person me sjellje agresive, i cili po sulmonte kalimtarët, ndiqte automjete dhe tentonte të hynte brenda tyre – duke përbërë rrezik për veten dhe të tjerët.
Ngjarja është raportuar në rrugën “Haradin Bajrami”, në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të ndaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të mbrojtur qytetarët.
Sipas Policisë, edhe në prani të zyrtarëve policorë, i ndjeri ka shfaqur të njëjtat sjellje të pakontrollueshme dhe të rrezikshme, duke ofruar rezistencë aktive dhe duke u vërsulur ndaj zyrtarëve. Si pasojë, për të vënë situatën nën kontroll, policët kanë përdorur sprej-in policor në vetëmbrojtje.
Zyrtarët policorë kanë komunikuar me të për 5-6 minuta për ta bindur që të shoqërohet në stacion, ndërsa gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit kishte thirrur ndihmën e shpejtë, duke parë gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike.
Pavarësisht përpjekjeve, i riu kishte tentuar të ikte, por u arrestua nga policia. Autoambulanca me ekipin emergjent kishte arritur në vendin e ngjarjes brenda tri minutave për të ofruar ndihmën e parë, por më pas u konstatua vdekja e tij nga mjekët.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjësende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike – e dërguar për analizë.
Policia ka njoftuar se njësitë relevante hetimore, prokurori për krime të rënda dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të filluar hetimet.
Të gjitha provat, përfshirë pamjet filmike dhe dëshmitë, janë ndarë me Prokurorinë dhe IPK-në. Me vendim të prokurorit është iniciuar hetim penal dhe trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia bën të ditur se me rekomandim të IPK-së janë suspenduar katër zyrtarë policorë dhe një rreshter. Pas intervistimit dhe rikualifikimit të veprës penale, të njëjtit janë dërguar në ndalim.
“Sigurojmë të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është në bashkëpunim të ngushtë dhe të plotë me institucionet relevante me qëllim të zbardhjes së plotë të këtij rasti, epilogu i së cilit do të merret pas përfundimit të hetimeve, ekzaminimeve dhe pranimit të raportit të obduksionit nga Mjekësia Ligjore”, thuhet në njoftim.