Policia e Kosovës në veri të vendit ka thënë se ka marrë masat që çdo gjë të shkojë qetë gjatë festave të Krishtlindjeje ortodokse.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani ka thënë se sikur për çdo festë edhe për ato të javës së ardhshme do të ketë planë operativ.
“Për çdo festë e cila zhvillohet në Kosovë, Policia e Kosovës zhvillon plane operative në mënyrë që të sigurohet që çdo gjë të shkojë qetë e në rast se ndodh diçka, atëherë ne me pas mundësi me reagu. Edhe festat e kësaj jave dhe muaji nuk janë përjashtim. Policia është në numër të mjaftueshëm në Veri të Vendit që të reagoj në rast nevoje”, ka thënë Elshani për Tëvë1.
Pas sulmit të 29 nëntorit në kanalin e Ibër – Lepencit në Zubin – Potok, është paralajmëruar se mund të ketë sulme tjera në veri. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të mbajtur më 24 dhjetor kishte thënë se Serbia po përgadit sulme tjera para ose pas festave të fundvitit.