Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, tha në Prishtinë se Kosovës i duhet sa më shpejt një qeveri e aftë për të vepruar, sepse votuesit janë duke pritur formimin e saj tash e 8 muaj. Këtë deklaratë, shefi i diplomacisë gjermane e bëri vetëm një ditë para se Parlamenti i Kosovës të provojë në tentimin e dytë që ta krijojë qeverinë e re me mandatarin Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosja.
“Zhvillimi i Kosovës që nga përfundimi i luftës 1999 dhe që nga pavarësia në vitin 2008 është një histori e vërtetë suksesi. Për shumë kënd në rajon, Kosova është simbol i demokracisë dhe i një shoqërie të fortë civile. Në mënyrë që ky sukses të vazhdojë, Kosovës i duhet që sa më shpejt të ketë një qeveri të aftë për veprim si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Votuesit janë duke pritur formimin e saj që prej tetë muajsh. Ata kanë pritje të arsyeshme që këto procese demokratike të marrin një përfundim pozitiv dhe këtu bën pjesë një qeveri stabile”, tha ministri Wadephul në një konferencë për media pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Angazhim nga të dyja palët për dialogun Kosovë – Serbi
Shefi i diplomacisë gjermane, Johann Wadephul, tha se Gjermania mbështet dialogun për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por kërkoi angazhim nga të dyja palët.
“Ky proces ka ngecur kohëve të fundit. Është shumë e rëndësishme që këtu të ketë përparim konkret. Marrëveshja e Ohrit, e cila i përmban të gjitha elementet relevante për normalizim duhet të zbatohet shpejt dhe plotësisht, këtë e presim ne nga të dyja palët, dhe për këtë nevojitet më shumë angazhim si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia. Për Kosovën kjo nënkupton për shembull hapjen e nevojshme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është me rëndësi që politika e provokimit të ndërsjelltë dhe të menaxhimit permanent të krizave të marrë fund.
Dialogu për normalizim duhet të vazhdojë me vullnetin për mirëkuptim.Ai është kriter i yni i vlerësimit për qeveritë në të dyja vendet”, tha Johann Wadephul. Sipas tij, Gjermania është e bindur se Kosova e ka forcën dhe vullnetin për të zbatuar reformat e nevojshme
Mbështetje nga Gjermania
“Gjermania është e gatshme që t’iu ndihmojë me gjithë fuqinë që ka në këtë rrugëtim. Mbetet esenciale që gjendja këtu të mbetet e qetë, dhe të mos vijë te konfrontimet siç ka ndodhur më 2023, 2024”, tha kreu i diplomacisë gjermane duke iu referuar zhvillimeve në veri të Kosovës. Ai i vlerësoi lart marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar se Gjermania është investitori më i madh në Kosovë dhe partneri më i madh tregtar.
“Në të gjitha temat që i diskutuam sot bëhet fjalë për sigurinë dhe për të ardhmen e kontinentit tonë. Është mirë që Kosova është në anën tonë dhe ne të gjitha vendet, qofshin anëtare të BE-së apo jo, duhet t’ia bëjmë të qartë Rusisë se destabilizimi, dezinformimi dhe manipulimi nuk kanë vend në kontinentin tonë. Përpjekjeve për destabilizim iu përgjigjemi me një Evropë të bashkuar dhe në këtë kuadër, zgjerimi i Evropës është një urgjencë gjeopolitike. Për këtë për herë të parë prej shumë vitesh ka një perspektivë realiste”, tha Wadephul.
Osmani: Thirrje për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj, kërkoi ndihmën e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht bëri thirrje për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës. Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE.
“Vizita juaj në Kosovë është një dëshmi e qasjes suaj dhe qeverisë së udhëhequr nga kancelari Merz, se BE-ja mbetet e paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Populli i Kosovës e sheh Gjermaninë si aleatin më të besueshëm në gjithë kontinentin evropian. Ne synojmë të hyjmë si kontributdhënës e jo si barrë. Në këtë rrugëtim Kosova ka nevojë për mbështetjen e Gjermanisë. Heqja sa më parë e masave ndaj Kosovës është një urgjencë e domosdoshme për çka shpresojmë në përkrahjen e Gjermanisë”, tha presidentja Osmani. Ajo tha se në këtë kuadër roli i Gjermanisë është vendimtar, duke shtuar se “Kosova është 100 për qind e harmonizuar në politikën e jashtme të BE-së”.
“Ne pajtohemi plotësisht me qasjen e qeverisë së re gjermane që rruga drejt BE-së duhet të bazohet në merita. Kosova është ekonomia më e re evropiane por është dinamike e digjitale. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë. Përderisa Kosova mbetet nën masa të BE-së as dialogu nuk mund të konsiderohet i barabartë”, tha Osmani./DW













