Në çështjen e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuҫit kundër administrimit të drejtësisë, është pranuar në prova materiale një intervistë e Kilajt e dhënë për prokurorët në kohën e kontrollimit dhe sekuestrimeve në vendbanimin e tij.
Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle e cila tha se kjo ishte kërkesë e Prokurorisë.
“Në kohën e intervistës, z. Kilaj hoqi dorë nga e drejta e tij për të heshtur dhe nga e drejta për të pasur avokat të pranishëm gjatë intervistës. Gjykatësi konstatoi se përpara intervistës, ZPS-ja i kishte komunikuar z. Kilaj, gojarisht dhe me shkrim në shqip, të gjitha të drejtat e tij si i dyshuar sipas nenit 38(3) të Ligjit të DHSK-së, dhe se z. Kilaj kishte konfirmuar përmes vënies së nënshkrimit se i kuptonte këto të drejta. Z. Kilaj u informua gjithashtu se mund të tërhiqej nga heqja dorë e të drejtave në çdo kohë dhe të ndryshonte mendje lidhur me praninë e avokatit. Sipas ligjit, prokurorët ishin gjithashtu të detyruar të njoftonin z. Kilaj se ishte i dyshuar për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara”, tha Doyle.
Ai tregoi se këtë intervistë e kishte kundërshtuar mbrojtja duke pretenduar se Kilaj nuj ishte informuar mjaftuehëm dhe në hollësi për veprat penale për të cilat po hetohej. Mirëpo, duke u bazuar në incizimin e intervistës, gjykatësi kishte konstatuar se intervistuesit ia kishin bërë të qartë Kilajt se ekzistonin arsye për të besuar se ai kishte kryer një vepër penale që përfshihet në juridiksionin e gjykatës, se ZPS-ja hetonte krime ndërkombëtare dhe krime të lidhura me pengimin e drejtësisë, dhe se çdo deklaratë e dhënë nga ai mund të përdorej kundër tij në gjykatë.
“Duke iu referuar jurisprudencës së tribunalëve ndërkombëtarë dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjykatësi përcaktoi se “ hetuesit paraqitën hapur në fillim të intervistës ‘arsyet e tyre për të besuar’ se z. Kilaj mund të ketë marrë pjesë në një vepër penale që përfshihet në juridiksionin e DHS-së”, se, “dokumentet që iu paraqitën z. Kilaj përmbanin jo vetëm llojin e veprave penale për të cilat ai dyshohej, por edhe llojin e informacionit për të cilin bëhej fjalë,” dhe se “asgjë në këto shkëmbime nuk lë të mendohet se heqja dorë nga të drejtat, e shprehur në fillim të intervistës, ishte bërë pa qenë plotësisht i informuar…”, tha Doyle.
Në të njëjtën çështje, ai tha se gjykatësi i çështjes miratoi një kërkesë të ZPS-së për shtimin e materialeve në listën e saj të provave materiale dhe nxjerrjen zyrtare të këtyre materialeve Mbrojtjes më 19 janar 2026.
Doyle tha se këto materiale janë që Prokuroria i ka marrë gjatë muajit të fundit nga një institut dhe një kompani forenzike.
Në të njëjtin rast, Doyle tregoi se u miratua një kërkesë të përbashkët të Mbrojtjes për shtimin e numrit të fjalëve për përgjigjen e tyre ndaj mocionit të ZPS-së për pranim të provave.
Ndryshe, Doyle tregoi edhe për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Veç kësaj u përmend se në Kosovë gjendet një ekip i Programit për komunikim dhe ndërgjegjësim gjendet në Kosovë ku po zhvillon aktivitete për të informuar grupe studentësh në Prishtinë lidhur me mandatin dhe proceset në gjykatë.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.













