Gazetari i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, ka ndarë detaje rreth intervistës që ai ka zhvilluar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë.
Gazetari Martens, në postimin e tij në rrjetin social ‘’X’’, theksoi se intervista ballë për ballë me Thaçin ‘’nuk ishte e mundur’’, dhe se pyetje do të duhej të dorëzoheshin me shkrim, përcjell Gazeta Express.
Martens bëri të ditur se, pyetjet ai i kishte paraqitur në gusht të 2025, për të cilat, u deshën katër muaj derisa Specialja e njoftoi atë, se ‘’përgjigjet e Thaçit ishin miratuar’’.
‘’Një intervistë ballë për ballë nuk ishte më e mundur. Pyetjet duhej të dorëzoheshin me shkrim dhe përgjigjet do të publikoheshin vetëm pas shqyrtimit nga tribunali, më thanë. Një intervistë pa mundësinë e pyetjeve kritike pasuese nuk është vërtet një intervistë. Megjithatë, ia vlente të provohej. Ndoshta përgjigjet do të ishin gjithsesi interesante. Kështu, në gusht 2025, paraqita 12 pyetje në Hagë. U deshën katër muaj derisa, në prag të Krishtlindjes 2025, gjykata më njoftoi me email se përgjigjet e Thaçit ishin miratuar’’, ka shkruar ai.
Tutje, gazetari bëri të ditur edhe se, Specialja kishte deklaruar se përgjigjet e Thaçit do i dërgonte me postë, porse, vetëm pasi të ishte nënshkruar një ‘’dokument konfidencial’’.
‘’Gjykata, thanë ata, do t’i dërgonte përgjigjet me postë – por vetëm pasi të nënshkruaja një dokument konfidencial prej tre faqesh që përcaktonte se intervista mund të publikohej vetëm në versionin e miratuar nga gjykata, pa shkurtim dhe pa shtesa. Për të qenë në gjendje të gjykoja nëse përgjigjet ishin fare interesante, kjo kusht duhej pranuar. Dhe kështu, në mes të janarit, tre vjet pas ofertës fillestare për intervistë, mora postë nga Haga: përgjigjet e Thaçit’’, ka shkruar Martens.














