Prania e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dje në veri të vendit udhëhoqi diskursin publik gati sa edhe e la në plan të dytë fatkeqësinë e një të riu që shkoi për t’u larë në Ujman ku dhe humbi jetën. FSK-së dje iu kërkua që të shkojë në veri për të ndihmuar në gjetjen e trupit të pajetë dhe atje shkoi me leje të KFOR-it nga i cili u shoqërua gjatë gjithë kohës.
Prania e FSK-së në veri të vendit u keqpërdor politikisht nga partia në pushtet dhe përkrahësit e saj, duke e prezantuar edhe qëllimshëm si shkuarje për herë të parë e FSK-së në veri të vendit ndonëse kjo kishte ndodhur edhe herë të kaluara kur Vetëvendosje s’ishte në pushtet, por me të njëjtin qëllim – humanitar.
Për këtë pati reagim edhe nga ambasadat e vendeve perëndimore që kërkuan të mos politizohet prania e FSK-së dhe të mos shfrytëzohet një ngjarje tragjike për të fituar pikë politike.
Gazeta Express sot i është drejtuar Presidencës për të marrë qëndrimin e Komandantës Supreme, presidentes Vjosa Osmani, lidhur me përdorimin politik të pranisë së FSK-së atje. Megjithatë, Presidenca s’komentoi në lidhje me këtë përveçse ka falënderuar FSK-në dhe KFOR-in për angazhimin e tyre.
Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, tha për gazetën se një delegacion presidencial ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të 33-vjeçarit që humbi jetën në Ujman.
“Presidentja Osmani i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së mërgimtarit të ndjerë që humbi jetën në liqenin e Ujmanit. Ajo ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes, ndërsa një delegacion presidencial ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të ndjerit”.
Osmani ka lavdëruar FSK-në për profesionalizmin e treguar, ndërsa ka thënë se rasti i djeshëm dëshmon se FSK është forcë që iu shërben të gjithë qytetarëve pa dallim me dinjitet e humanizëm.
“Presidentja Osmani falënderon Forcën e Sigurisë së Kosovës, KFOR-in, si dhe të gjitha institucionet tjera vendore dhe ndërkombëtare, për angazhimin e palodhshëm dhe profesionalizmin e treguar në operacionin e kërkimit, i cili çoi në gjetjen e trupit të pajetë të 33-vjeçarit. Ky angazhim i FSK-së është dëshmi e përkushtimit të saj të vazhdueshëm për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim, me dinjitet, humanizëm dhe përgjegjësi të lartë shtetërore. Veprime të tilla nderojnë uniformën dhe forcojnë besimin e qytetarëve në institucionet tona të sigurisë”.
Ambasada e Gjermanisë, Francës, Italisë e Mbretërisë së Bashkuar reaguan për ngjarjen e djeshme, duke kërkuar të njihet roli i KFOR-it pasi që partia në pushtet e ministra në detyrë në shumicën e publikimeve të tyre shmangen praninë e KFOR-it që ishte në përcjellje të FSK-së.